Transmetuar më 10-07-2020, 00:31

Sondazhe, rezultatet e të cilave i disponon Partia Demokratike, nxjerrin koalicionin e drejtuar prej saj, fitues në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore që pritet të mbahen njëherësh në majin e vitit të ardhshëm.

Nënkryetari i PD, Gazmend Bardhi, në një intervistë televizive sonte, foli më shumë mbi këtë temë: "Kemi sondazh. PD dhe koalicioni opozitar janë fitues. Jemi shumë të kënaqur dhe mendoj se ka ende shumë energji për t’iu bashkuar opozitës për të pasur një rezultat spektakolar", tha z.Bardhi duke ftuar kështu edhe parti të tjera që ti bashkohen koalicionit aktual.

Bardhi refuzoi të flasë me shifra, por pranoi se sondazhet e nxjerrin fitues jo PD si parti e vetme, por si koalicion opozitar në tërësi, ku rol deciziv duket se luan LSI.

“Ne jemi me aleatë, jemi në një koalicion opozitar, më të gjerin që ka pasur Shqipëria. Jemi të vendosur të shkojmë bashkë në zgjedhje dhe ta mundim bashkë Edi Ramën. Pas zgjedhjeve do të shihen numrat. Nuk do ketë nevojë ta mundim vetëm sepse jemi në koalicion me aleatët tanë. Do fitojmë bashkë dhe do qeverisim bashkë”, tha Bardhi.

Ai paralajmëroi se opozita po bëhet gati për zgjedhje lokale dhe të përgjithshme. Sipas tij, një arsye pse Rama po zvarrit ngritjen e Gjykatës Kushtetuese është vendimi për shpalljen e antikushtetueshmërisë së 30 qershorit.