Transmetuar më 10-07-2020, 13:28

Kryeministri Edi Rama u shpreh hapur në mbështetje të hapjes së listave.

Duke prezantuar mesditën e sotme qëndrimin e Partisë Socialiste, për përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore në parlament brenda këtij sesioni të Kuvendit, ai deklaroi se “Kemi vendosur të mbështesim një hapje të listave, në mënyrë që çdo zgjedhës të zgjedhë subjektin dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë”.

Më tej shtoi se vendimi reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse dhe përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe më komode për një parti të madhe dhe por edhe për të si kryetari i partisë.

Rama tha se e di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por nënvizoi se, “E di shumë mirë se ka një sëkëlldi dhe përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë që përkon me nevojën dhe interesin e vendit ka qenë e shprehur vazhdimisht edhe nga unë personalisht depolitizomi i administratës zgjedhore, rekomandim kyç i OSBE/ ODIHR nuk ka ndodhur, sepse e kundërshtonte deri në fund PD”.

Ai nënvizoi se u vendos të bëhet një lëshim, për një forcë politike që ka shumicën e që shkel mbi veten në këtë rast.

Më tej sqaroi se madhësia e zonave zgjedhore, nuk preket, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve preket, por si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit, jo prekje e sistemit që vjen jashtë konsensusit të 5 qershorit, pra produkt i kësaj.

Sipas tij, sistemi nuk preket, mekanizimi korrektues është në funksion të asaj që palët gjykojnë si përmirësim.

“Marrëveshja e 5 qershorit nuk mund të preket nga ne dhe këtu është ngërçi i vetëm që kemi me opozitën parlamentare dhe ne do të kërkojmë deri në fund që të mos insistojnë në ndërhyrje për administrimin e zgjedhjeve, ky është problemi i tyre, ata janë kundër që të kryhet nga partitë. Kundër kam qenë edhe unë”, deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se opozita jashtë parlamentare ka zero alibi për të kërkuar apo pretenduar garancitë, se është pjesëmarrje në proces dhe se ideja se hapja e listave prish marrëveshjen është një çmenduri.

“Kërcënimet nuk e ndihmojnë procesin, peng PS-në dhe Kuvendin nuk e merr dot askush nga jashtë Kuvendit, as me forcë as me shantazhe. Rrugët e padenja për të garantuar shumica për ta çuar sistemin drejt ndonjë ndryshimi që do të prodhonte rënie të cilësisë së demokracisë, por që të diskutosh si problem hapjen e listave dhe ta konsiderosh cenim të integrimit është marrëzi”, deklaroi kreu i qeverisë./a.y/noa.al

QËNDRIMI I PS PËR PËRMBYLLJEN E PROÇESIT TË REFORMËS ZGJEDHORE NË PARLAMENT BRENDA KËTIJ SESIONI TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Publiée par Edi Rama sur Vendredi 10 juillet 2020