Transmetuar më 10-07-2020, 15:53

Pak minuta pasi kryetari i PD-së tha se Rama i kishte ofruar postin e Kryeministrit në këmbim të heqjes së koalicioneve parazgjedhore, ka reaguar në Tuiter kreu i Qeverisë.

“Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër, se paskam frikë nga humbja.

Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë”, ka shkruar Rama në Tuiter.

Rama i bën thirrje Bashës që të heqë dorë nga ato që i cilëson kërcënime nga ana e tij, dhe shton se hapja e listave nuk e zhbën koalicionin PD-LSI.

"Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB, as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe, e lëri sharjet e kërcënimet, sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje".

Sa i përket marrëveshjes politike për Refomrën Zgjedhore, duket se është kthyer në pikën zero, pasi PD dhe LSI nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit në një kohë kaq të shkurtër nga procesi zgjedhor.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në 23 qershor, ku mazhoranca ka deklaruar se do ta çojë për votim marrëveshjen e 6 qershorit. /k.k/noa.al/