Transmetuar më 11-07-2020, 00:47

Marrëdhëniet personale mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha po njohin zhvillime interesante, pasi kreu socialist shprehu gatishmërinë e tij për të aplikuar listat e hapura të zgjedhësve pa ndryshuar sistemin zgjedhor. Kreu i opozitës Basha tha me këtë rast se zoti Rama ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 qershorit.

Por tërhoqi vemendjen edhe deklarata e tij se “Për një muaj e gjysmë Edi Rama ka dërguar çdo ditë ndërmjetësit e tij pothuajse çdo ditë me të njëjtin mesazh. Ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet”.

Në përgjigje të kesaj deklarate zoti Rama shkruan në rrjetet sociale se “Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas Lulzim Bashës e unë dashkam të bëhem President me Lulzim Bashën kryeministër, se paskam frikë nga humbja. Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë”.

Ndërkaq lidhur me deklaratën e zotit Basha se Rama ka frikë të përballet me koalicionin opozitar në zgjedhjet e ardhshme, kryeministri shprehet: “Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB, as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe, e lëri sharjet e kërcënimet, sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje”.

Deklarata të tilla paralajmërojnë një rritje tensioni në politikën shqiptare edhe në këtë situatë pandemike.