Transmetuar më 11-07-2020, 04:03

Aplikimi online për përzgjedhjen e degëve në universitet këtë vit do të nisë me 29 korrik. Raundi i parë do të zgjasë deri më 3 gusht. Gjatë këtyre gjashtë ditëve, maturantët do të mund të përzgjedhin degët e tyre të preferuara.

Skema e aplikimit do të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë. Ky mosndryshim vjen pasi ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi në maj ndryshime por u tërhoq. Para gati 5 javësh Ministria e Arsimit vendosi ta ndryshojë skemën e pranimit në universitete, duke publikuar udhëzimin 15, që pakësonte mundësinë e të rinjve në përzgjedhjen e degëve dhe gjithashtu reduktonte numrin e fazave, pak ditë më pas e rrëzoi këtë udhëzim me një tjetër, duke lënë në fuqi procedure që kryhej më parë.

Aplikimet dhe regjistrimet e kandidatëve për në universitete zhvillohen në portalin U-Albania, për maturantët që plotësojnë kriterin e notës mesatare.

Pas daljes së rezultateve të aplikimeve në raundin e parë, maturantet kanë mundësi sërish edhe në dy raunde të tjera, ku përsëri do të përzgjedhin nga 10 degë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e tjera.

Raundi i dytë nis më 19 shtator dhe përfundon më 21 shtator ndërsa raundi i tretë dhe i fundit nis me 12 tetor dhe përfundon më 14 tetor.

Regjistrimet duhet të realizohen sipas datave dhe parashikimeve të kalendarit të paracaktuar. Në rast të kundërt, regjistrimi do të konsiderohet i pavlefshëm dhe kandidatet nuk do të kenë mundësi të pajisen me numër matrikullimi nga QSHA.