Transmetuar më 11-07-2020, 11:20

Një person në Tiranë i cili lëvizte me pistoletë me silenciator me vete dhe që dyshohet se shpërndante drogë, është vënë në prangat e policisë.

Pas një hetimi trijavor, uniformat blu kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i Klodjan Troci, 32 vjeç, banues në Tiranë, person me precedent penal në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas me precedent të mëparshëm penal vijonte të ushtronte aktivitetin kriminal në fushën e narktikëve, kryesisht në Kombinat dhe në zonën e Tiranës së Re, efektivët e policisë kanë regjistruar procedimin penal në Prokurorinë e Tiranës.

Nisur dhe nga informacioni i marrë se 32-vjeçari në vendin e quajtur “ Qytet i nxënësve” po qarkullonte me biçikletë dhe mund të kishte me vete lëndë narkotike dhe armë zjarri, kanë zhvilluar operacionin policor “Befasia”.

Gjatë kontrollit, Klodjan Trocit, në çantën që mbante në dorë, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë me silenciator.

Gjatë kontrollit në banesën e Trocit, policia gjeti dhe sekuestori edhe një sasi fishekësh luftarak.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet. /a.y/noa.al