COVID-19, Shqipëria regjistroi sot shifra rekord, më alarmante situatë në Kosovë dhe Maqedoni
Transmetuar më 11-07-2020, 17:23

Në gjithë botën janë prekur me shumë se  12 milionë banorë, janë shëruar gati 7 milionë dhe kanë vdekur 560 mijë njerëz deri tani si pasojë e Covid-19.

Por jo vetëm në vendin tonë, që sot regjistroi shifra rekord rastesh nga COVID-19, edhe në rajon situata mbetet po aq shqetësuese. Ministria e Shëndetësisë ka raportuar sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 93 raste pozitive, si asnjë ditë tjetër që kur u zbulua i prekuri i parë me koronavirus.

Ministria raportoo se 8 pacientë ndodhen aktualisht në terapi intensive dhe 4 të tjerë janë të intubuar në gjendje të rëndë, ndërkohë që vetëm 6 persona janë shëruar.

Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: një 68 vjeçar nga Durrësi, një 65 vjeçar nga Tirana, një 63 vjeçar nga Elbasani dhe një 71 vjeçare nga Shkodra, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, në gjendje të rënduar si pasoje e Covid19.

Vendet fqinje, edhe pse popullsia totale e tyre është më e vogël se e Shqipërisë, kanë rregjistruar shifra edhe më alarmante, gjatë 24 orëve të fundit.

Situata e fundit në Kosovë

Mbi situatën e fundit Covid-19, Kosova po diskuton shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Raportohet  se në spitalet publike janë të shtruar 301 pacientë me Covid-19, sipas Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës.

“Nga numri prej 301 pacientëve, 22 janë në gjendje të rënduar me përkujdesje intensive”, thuhet në njoftim.

Në një njoftim për media thuhet se në klinikat e QKUK-së dhe 7 spitalet publike nën menaxhim të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas raportit të datës 11 Korrik 2020, ka të shtruar 301 pacientë të konfirmuar me Covid-19 pozitiv.

“Prej tyre 186 në QKUK dhe 115 në spitalet e përgjithshme. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 184 janë në oksigjenoterapi, 132 në QKUK dhe 52 në Spitalet e Përgjithshme”, thuhet në njoftim.

Deri tani në Kosovë kanë vdekur 97 pacientë të prekur me COVID-19. Janë prekur gjithsejtë 4 mijë e 512 qytetarë, prej të cilëve 2 mijë e 156 janë shëruar.

Situata e fundit në Maqedoninë e Veriut

Vijon të mbetet i lartë numri i rasteve të reja me koronavirus edhe në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 8 persona dhe janë konfirmuar 199 raste pozitive me koronavirus. Mes viktimave të fundit është edhe një i ri, vetëm 24 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë informoi po ashtu se 120 persona janë shëruar nga pandemia.

Deri në këto momente numri total i të prekurve ka shkuar në 7975 persona, ndërsa viktimat janë 376, shifër këto shumë më të larta se në vendin tonë.

/NOA.al

Loading...