Transmetuar më 30-07-2020, 14:45

“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!”

Është kjo deklarata e Presidentit Ilir Meta lidhur me miratimin në parlament të ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave zgjedhore dhe formulën e re të koalicionit, ku nuk kursen gjuhën ndaj Kryeministrit Edi Rama por edhe disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndonëse nuk përmend emra.

Kreu i shtetit shprehet se ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 janarit dhe të 5 qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas tij, retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.

“Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti. Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre”, deklaron Meta.

Presidenti thotë se Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike dhe se ai u murr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

“Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!”, deklaronm në mbyllje Presidenti. /a.y/noa.al

Ndryshimet kushtetuese, Basha: Të papranueshme! Nuk janë të detyrueshme për opozitën

Listat e hapura dhe koalicionet, miratohen me 106 vota ndryshimet kushtetuese

Rama opozitës: Të ulemi që nesër për ligjin zgjedhor! Lërini dënglat kërcënuese