‘Ethet’ e garës elektorale PS-PD/ Ato pritet të kryesojnë fushatën në kryeqytet. Cila prej tyre do të bëjë diferencën?
Transmetuar më 03-08-2020, 20:11

Një vit para zgjedhjeve parlamentare, partitë kanë filluar përgatitjet.

Forcat kryesore para se të synojnë fitore do të bazohen tek disa nga emrat më të spikatur, gjatë viteve të fundit. Në rrjetet sociale kanë nisur një garë mes tyre, ku kërkohet të votohet se cila është më e preferuara e publikut.

Kështu, Grida Duma është përzgjedhur nga PD si një nga udhëheqëset kryesore të fushatës për qarkun e  Tiranës.

Por nga ana tjetër ajo pritet të ketë konkurrente në radhët e  PS-së, ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Ato janë dy nga deputetet më aktive në secilën prej dy partive kryesore dhe fitorja do të varet edhe nga pëlqimi i publikut, madje prej rolit të tyre në fushatë mund të varet edhe suksesi i secilës prej dy forcave kryesore, që synojnë të mbajnë ose të marrin pushtetit vitin që vjen.

Kujtojmë se Tirana, nga popullsia dhe fakti që është në mes të dy bastioneve, veri-jug, shpesh bën diferencën në zgjedhje. Por në zgjedhjet e ardhshme, diferenca mund të jetë edhe mes dy prej konkurenteve femra, që vlerësohen si ndër më të besuarat nga Rama dhe Basha, dhe ndër më të fortat në radhët e dy partive kryesore./NOA.al