Transmetuar më 04-08-2020, 12:50
Foto ilustruese

Një djalë i ri i cili duhet të qëndronte në masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për shpërndarje droge, nuk i është duruar por i është kthyer avazit të vjetër, duke dalë nga banesa, për të shpërndarë drogë.

Bëhet fjalë për një 17-vjeçar, i cili është kapur nga forcat e posaçme “Shigjeta” të policisë me 42 doza kanabis sativa dhe 9 mijë euro të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

I arrestuari është Migel Bako, 17 vjeç, banues në Tiranë.

Punonjësit e policisë e kanë konstatuar në rrugën “Ndre Mjeda”, adoleshentin, i cili sapo ka parë shërbimet e policisë është larguar me vrap, por gjatë ndjekjes është vënë në pranga.

Pas kontrollit, në brezoren që mbante me vete, uniformat blu i kanë gjetur 42 doza me lëndë të dyshuar kanabis sativa, si dhe shumat 9000 euro dhe 7200 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një aparat celular.

Nga verifikimi i kryer rezultoi se Bako ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe ishte larguar nga vendi i qëndrimit.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. /a.y/noa.al