Basha: Turizmi shqiptar në ditën e tij më të keqe, kemi një plan për ta nxjerrë nga kriza
Transmetuar më 08-08-2020, 12:13

Ndonëse përbën 22 për qind të ekonomisë shqiptare, turizmi është sot dega më e goditur nga kriza dhe pandemia".

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes edhe të disa imazheve nga bregdeti, ku në vend të gjallërisë tregohet një "shkretëtirë", akuzon qeverinë se nuk po e menaxhon si duhet krizën.

"100 mijë punonjës në këtë sektor dhe mbi 200 mijë të tjerë të lidhur me të, rrezikojnë punën dhe mbijetesën e tyre dhe të familjeve. Si pasojë e dritëshkurtësisë së qeverisë Rama dhe premtimeve të pambajtura për t’i ardhur në ndihmë, këtë verë turizmi shqiptar gjendet në ditën e tij më të keqe", – thotë Basha.

Lulzim Basha shton se, në këto ditë të verës, më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre pas disa muajsh shumë të vështirë.

"Propozimet tona për daljen nga kriza, e kanë turizmin prioritet që duhet mbështetur me likuiditete të mjaftueshme për të qenë në funksion të plotë. Një qeveri e përgjegjshme duhet të subvenciononte konsumin e qytetarëve dhe të injektonte pará përmes masave konkrete mbështetëse", tha ai.

Sipas kreut demokrat, – "shqiptarët, por edhe bizneset turistike kanë nevojë për masa dhe ndihmë konkrete që të kenë mundësi të çojnë fëmijët në plazhe apo male, dhe që biznesi i turizmit të funksionojë".

"Industria turistike nuk mund të ecë përpara me video propagande të plazheve që sot janë thuajse të boshatisur. Premtimet boshe mbeten vetëm fjalë dhe propagandë nga e cila nuk përfiton askush".

"PD po punon me ekspertët më të mirë për një plan ekonomik që do t’i vijë në ndihmë turizmit dhe gjithë ekonomisë. Ne do t’i japim fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin", shtoi ai.

"Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të shijojnë bukuritë natyrore, plazhet dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Me resurset e saj turistike, Shqipëria ka nevojë dhe do të ketë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze, me plan konkret zhvillimi që do të rrisë numrin e të punësuarve dhe do t’i kthejë frymëmarrjen ekonomisë dhe gjithë vendit", – mbylli reagimi e tij lidhur me turizmin Lulzim Basha.

/NOA.al