Transmetuar më 10-08-2020, 08:22

Ekzekutohet urdhër arresti i parë i profilit të lartë në Hong Kong për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare, të imponuar nga Pekini dhe të kundërshtuar gjerësisht në nivel ndërkombëtar.

Biznesmeni kinez pro-demokracisë, Jimmy Lai Chee-ying, u arrestua mëngjsin e sotëm i akuzuar për “bashkëpunim me forcat e huaja”, një nga krimet i cili rrezikon burg përjetë me ligjin e ri që hyri në fuqi më 30 qershor.

Në faqen e saj në Facebook, tabloidi Apple Daily, në pronësi të Lai, publikoi pamjet e arrestimit të pasanikut 71-vjeçar, i cili u prangos nga agjentët në shtëpinë e tij në Ho Man Tin, një zonë rezidenciale në gadishullin e Kowloon.

Krahas Lai, të paktën gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, që të gjithë në Hong Kong, me moshë nga 39 deri në 72 vjeç, për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare, mashtrim dhe krime të tjera. /a.y/noa.al