Greqia i tregon ‘muskujt’ Shqipërisë për detin, shfaqen anijet e para ushtarake pranë Himarës
Transmetuar më 29-08-2020, 08:30

Në një kohë kur është ndezur debati në vendin tonë, për marrëveshjen aq të përfolur të detit me Greqinë, vendi ynë fqinj duket se po tregon edhe forcën.

Greqia ka nxjerrë anijen ushtarake në detin Jon, teksa mediat kanë bërë publike një prej tyre, që qëndron shumë pranë bregdetit të Himarës.

Pranë  Himarës është pasditen e djeshme një fregatë greke.

Kjo lëvizje e Athinës vjen dy ditë pasi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deklaroi në parlament, se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Jon.

Duket se Greqia e konsideron tashmë të sajën pjesën e detit, që kërkohet të arrihet marrëveshja.

Gjithashtu ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka bërë me dije se do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë, për të përcaktuar kufijtë detarë. Njëkohësisht ai ka zhvilluar edhe një bisedë me kryeministrin Edi Rama, detajet e së cilës nuk janë bërë ende publike.

Qeveria shqiptare është akuzuar nga opozita për mungesë transparence, ndërsa janë hedhur edhe dyshime për një marrëveshje të fshehtë midis dy vendeve.

Kryeministri Edi Rama, ka hedhur poshtë akuzat, se Greqia po tenton të grabisë ujrat territorialë shqiptarë, ndërsa shtoi se Greqia po ushtron të drejtën që ia jep Konventa për Detin.

Në vitin 2009 qeveria e asaj kohe, nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha arriti një marrëveshje për detin me Greqinë, por marrëveshja u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e vendit tonë, si e papranueshme.

/NOA.al