Transmetuar më 16-09-2020, 10:43

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Elbasan, i shoqëruar nga kreu i grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla.

Ky i fundit është folur si zëvendësuesi më i mundshëm i ministrit Lleshaj, pas zërave për largimin e tij.

Lleshaj nuk i ka shpëtuar pyetjes së këtyre ditëve të fundit, që është ajo mbi mundësinë e dorëheqjes së tij nga posti në qeveri.

Ministri Lleshaj tha se ai do të vijojë që të qendrojë në detyrë, pasi ka një mision përpara të cilin do ta çojë deri në fund.

“Asnjë deklaratë e kundërt nuk ka qenë, as në Shkodër as në Vlorë, në ç’kuptim do të qendroj apo do të largohem, unë nuk dorëhiqem, pasi kam një mision për të kryer, unë di vetëm të eci përpara”, – u shpreh Lleshaj.

Ndërkohë edhe Taulant Balla tha se ministri e ka kryer më së miri detyrën që i është besuar nga ana e socialistëve.

”Dua të them dhe unë dy fjalë për këtë çështje, hedh dikush një gurë në lumë dhe gjithë të mençurit e tjerë duhet ta ndjekin. Ministri Lleshaj prej ditës së parë në detyrë ka bërë një punë të mirë, si shpërblim i besimit që partia socialiste i ka dhënë”, – u shpreh Balla gjatë fjalës së tij.

Duke folur për atentatin e ndodhur mbrëmë në Tiranë, Balla tha se shpërthime të tilla ndodhin në kryeqytetet e të gjithë botës.

Një tjetër ngjarje tronditëse për kryeqytetin ishte shpërthimi i fuqishëm te Vasil Shanto, paditen e djeshme. Një atentat mafioz, ku mbeti i plagosur rëndë Prend Gjini.

Ministri i Brendshëm tha se ngjarja ishte një goditje e shëmtuar dhe u ka bërë thirrje strukturave të policisë dhe prokurorisë që të punojnë për të zbardhur ngjarjen.

“Nuk mund të rri pa përmendur një ngjarje të rëndë që u ballafaquam dje në Tiranë, një sulm, një goditje e shëmtuar, e pabesë ndaj shqetësimit dhe sigurisë publike, e cila vetëm sa na provon që krimi mbetet kërcënim, mbetet sfidë e madhe me të cilën duhet të përballemi fort me vendosmëri, me inteligjencë dhe në mënyrë të pandërprerë’, – tha ai.

“I kam kërkuar drejtuesit të Policisë së Shtetit që të angazhohen të gjitha burimet për ta zbardhur sa më parë këtë krim, për ta goditur atë rëndë në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera ligj zbatuese dhe me prokurorinë, të cilës po ashtu i bëj thirrje për të adresuar të gjitha burimet e disponueshme në mënyrë që ky krim, i cili prishi qetësinë e kryeqyteti dje të zbulohet.

‘Edhe si një mesazh, – shtoi Lleshaj, – ndaj kujtdo që guxon të ndërmarrë vepra të tilla, aq më tepër në mes të rrugës, duke sfiduar apo kërcënuar rëndë jetën e qytetarëve tanë dhe dua t’i garantoj ata që të gjitha strukturat ligj zbatuese në vend do të jenë shumë të angazhuara për të goditur me forcë çdo tentativë për prishjen e sigurisë dhe rendit në vend”, – deklaroi Lleshaj sot nga Elbasani.

/NOA.al