Transmetuar më 24-09-2020, 11:20

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, pas përfundimit të takimit me përfaqësinë e mjekëve lidhur me kërkesat e tyre, deklaroi se u diskutua konkretisht për pikat që përfaqësuesit e sindikatës kanë përcjellë.

“Kemi një rrugë të gjatë përpara për të përfaqësuar të gjitha kërkesat e sindikatës. Tryezat e punës do fillojnë që javën që vjen. Ura e bashkëpunimit është konsoliduar, pasi mjekët dhe infermierët Ministrinë e Shëndetësisë e kanë shtëpinë e tyre dhe aty do të bëhen takimet. Ne do mundohemi të bëjmë më të mirën edhe në këtë situatë pandemie, ne do i dëgjojmë dhe do ju marrim mendim për të ardhmen e tyre”, u shpreh Manastirliu.

Ajo tha se janë 4 pikat që do të diskutohen në tryeza teknike, pasi janë çështje që adresojnë situata të ndryshme dhe kërkojnë ekspertizë jo vetëm të brendshme por edhe ndërkombëtare

“Jemi në të njëjtën anë, në të njëjtën anë të llogores”, tha Manastirliu.

Nga ana e tij përfaqësuesi i mjekëve Gentian Stroni, informoi se në takimin e sotëm në Kryeministri u pritën nga drejtoresha e bashkëqerverisjes dhe jo nga Kryeministri Edi Rama.

“Nga e mërkura dhe enjtja do të ngrihet një grupe pune nga sindikata dhe qeveria për të arritur në përfundimin që do donim të ishte, për të detajuar secilën nga kërkesat”, deklaroi mjeku.

Ky takim vjen në një kohë që bluzat e bardha njoftuan protestë, e cila u mbajt edhe ditën e sotme në ambientet e QSUT.

Takimi që zgjati për 90 minuta u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministres së Shëndetësisë, Drejtorit të QSUT dhe përfaqësia e sindikatës së mjekëve.

Katër kërkesat e mjekëve dhe infermierëve:

-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm

-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare. /a.y/noa.al

Mjekët në protestë: Përfaqësuesit tanë nuk i priti Rama / 4 kërkesat e bluzave të bardha