Ngjarje tragjike në Zvicër/ Vdes një shqiptar, plagosen gruaja dhe vajza
Transmetuar më 24-09-2020, 20:39

Një ngjarje tragjike me pasojë vdekjen e një shqiptari nga Kosova si dhe plagosjen e 2 femrave ka ndodhur në Zvicër.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme ku një shqiptar ka mbetur i vdekur dhe 2 persona po të njëjtës familje janë plagosur.

Policia e Cyrihut njofton për mediat zviceriane së pak para orës 7:00 të këtij mëngjesi, është raportuar për dhunë në një familje në Zyrih.

Me të arritur në vendin e ngjarjes njësitë policore dhe ambulanca kanë gjetur dy gra të plagosura, dhe një burrë në gjendje më të rëndë.

47-vjeçari pavarësisht se kishte marrë ndihmën e parë, nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve duke vdekur ne vendin e ngjarjes.

Gruja e viktimës, 50-vjeçare dhe vajza 17-vjeçare u dërguan në spital për trajtim mjekësor.

Sipas mediave zvicerane shqiptari nga Kosova zotëronte një biznes automjetesh dhe sipas dëshmisë së një punonjësi të tij, familja kanë bërë jetë të qetë dhe asnjëherë nuk i kanë parë të kenë zënka.

Raportohet se viktima kishte shkuar në Zvicër që në moshën 16 vjeçare.

Djali i viktimës, ka rrëfyer për median zvicerane se kur ai kishte dalë nga shtëpia pak orë para se të raportohej krimi, gjithçka ishte në rregull.

“Nuk e di çfarë ndodhi. Jam i shokuar. Policia deri më tani nuk më ka dhënë asnjë detaj për rastin”, shprehet djali 20-vjeçar i viktimës.

Policia zvicerane thotë se për momentin janë të paqarta motivet e krimit dhe rrethanat e ndodhjes së tij.