Transmetuar më 13-10-2020, 16:05

24 orët e fundit e kanë përkeqësuar situatën e koronavirusit në vend. Ministria e Shëndetësisë raporton për 5 humbje jete.

Fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 64-vjeçar nga Elbasani, një 66-vjeçare nga Kurbini, një 73-vjeçare nga Korça, një 81-vjeçar nga Shijaku dhe një 75-vjeçar nga Tirana.

Nga 1 mijë e 55 testime për të dyshuar, 182 janë raste të reja.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:

61 raste në Tiranë, 19 në Shkodër, 12 në Korçë, 9 në Lushnje, nga 7 raste në Fier, Berat, nga 6 raste në Durrës, Elbasan, Pogradec, nga 5 raste në Lezhë, Mallakastër, Gjirokastër, Prrenjas, nga 4 raste në Tropojë, Kuçovë, nga 3 raste në Sarandë, Dibër, nga 2 raste në Kukës, Kavajë, Vlorë, Rrogozhinë, Librazhd, nga 1 rast në Krujë, Fushë-Arrëz, Roskovec, Bulqizë, Skrapar.

Janë shëruar 90 qytetarë, duke e çuar në 9 mijë e 675 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Ministria thotë po ashtu se nga data 15 tetor maska ose barriera mbrojtëse prej tekstili bëhet e detyrueshme edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19. /k.k/noa.al/