Transmetuar më 18-10-2020, 17:29

Mbi 40 milionë persona janë infektuar në mbarë botën, ndërsa mbi 1.1 persona kanë humbur jetën nga Covid 19, duke bërë që shumica e shteteve të aplikojnë masa të forta kufizuese. Shtetet e Bashkuara kryesojnë për numrin e të prekurve, pasuar nga India, por edhe vendet e Europës

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kryesojnë si nga numri i infektimeve me 8.1 milionë të diagnostikuar me koronavirus, ashtu edhe nga viktimat me më shumë se 219 mijë të vdekur nga sëmundja.

India po u afrohet me shpejtësi shifrave të Shteteve të Bashkuara, me mbi 7.5 milionë raste të identifikuara me koronavirus dhe mbi 114 mijë të vdekur.

Autoritetet kanë filluar të përgatisin një listë me 300 milionë vetë, të cilët do të marrin dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, sapo të jetë e disponueshme, njofton media në Indi.

Ndërkaq, rishfaqja e vatrave të nxehta të infeksionit në Evropë ka detyruar autoritetet në një numër shtetesh të reagojnë me vendosmëri.

Rrugët e Parisit ishin të zbrazura mbrëmë, megjithëse ishte e shtunë, pasi filloi zbatimi i ndalim-qarkullit nga ora 21 deri në 6 të mëngjesit. Të paktën shtatë qytete franceze kanë vënë në zbatim masa të ngjashme.

Belgjika fillon nesër zbatimin e masave të ndalim-qarkullimit nga mesnata deri në 5 të mëngjesit, ndërkohë që në vend po intensifikohen ritmet e përhapjes së virusit. Po ashtu, kafenetë, restorantet dhe baret do të jenë të mbyllura duke filluar nga e hëna.

Ministrat e jashtëm të Austrisë dhe Belgjikës kanë rezultuar të prekur nga koronavirusi.

Të dy morën pjesë në një takim të Bashkimit Evropian të hënën në Luksenburg, gjë që ka vënë në qendër të vëmendjes sjelljen e udhëheqësve dhe zbatimin prej tyre të masave që rekomandojnë për popullatën.