ANALIZË nga Ilir Beqja: Një bilanc për 4 javët e fundit të Covid-19
Transmetuar më 20-10-2020, 00:18

Ka një rritje të ndjeshme të rasteve të reja të prekur nga sëmundja Covid – 19. Po ndodh kudo në Europë. Ende nuk ka një shpjegim bindës shkencor se përse erdhi kjo valë e dytë e vrullshme.

Përveçse u tha që do të ishte e pritshme me afrimin e vjeshtës dhe uljen e temperaturave.

Në 19 shtator 2020 në Shqipëri kanë qënë 12666 raste totale pozitive me Covid – 19.

Për katër javë, në 17 tetor 2020 ka një rritje me 37 % duke arritur në 16774 raste pozitive.

Grafiku në vijim ilustron rritjen e rasteve në bazë qarku në 4 javë.

Rritja më e madhe është shënuar në qarkun e Beratit me 79 %, ndërsa më e ulëta në qarkun e Kukësit me 22 %.

Katër javët më të fundit përkojnë edhe me fillimin shkollor. Por analiza e rritjes së rasteve pozitive sipas grupmoshave tregon se deri në 20 vjeç rritja është më e ulët se mesatarja e vendit.

Mund të arsyetohet se fëmijët preken më lehtë dhe më së shumti janë asimptomatikë, por e njëjta gjë ka qenë e vërtetë edhe kur fëmijët nuk shkonin në shkollë.

Edhe shpërndarja gjinore e rasteve nuk ka ndryshuar për 4 javë. Rreth 52 % e rasteve pozitive vijojnë të jenëvajza e gra.

Nëse procesi mësimor në 4 javë do të kishte shtuar më shumë raste mësuesish, athere do të kishim një rritje të grave të prekura duke qënë se mësuesia dominohet nga gra.

Rritja e vrullshme e rasteve të reja në 4 javët e fundit është kontestuar ashpër nga opozita duke treguar me gisht qeverinë si përgjegjëse kryesore.

Por kjo rritje po ndodh pothuaj kudo, madje edhe më vrullshëm.

Në vijim ilustrohet grafikisht, rritja në 4 javë e rasteve pozitive në vendet përrreth nesh. Me përjashtim të Serbisë dhe Kosovës (rritje përkatësisht 9 % dhe 10 %), në vendet e tjera rritja është sa Shqipëria apo edhe më shumë.