Revolta e aktorit/ Florjan Binaj gjen lumin Vjosa me emër grek (Foto)
Transmetuar më 20-10-2020, 09:02

Florjan Binaj herë pas here ka ngritur zërin për çështje që në fakt duhen ngritur nga studiuesit, të cilët për fat keq janë lënë në mëshirë të fatit, për shkak të politika të mbrapshta në arsim dhe dije.

Aktori i humorit ka publikuar disa foto nga “Google Maps”. Sipas tij, emri i lumit Vjosa nuk është i shkruar në gjuhën shqipe, por sipas emërtimeve greke.

Florjani ka treguar madje se emri ka qenë ndryshe para disa muajsh dhe është ndërruar këto kohë.

“Google vazhdon t’i ndërrojë emrin Vjosës… Para disa muajsh ishte Aoos, sot në Google Maps del Sarandaporo”, – ka shkruar aktori i humorit. Në fakt ka një degëzim lumi Vjosa me emrin grek, dhe nuk dihet nëse është hequr emri shqiptar apo…?

Binaj ka përmendur në postime edhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, duke qenë se kjo çështje ka lidhje direkte me marrëdhëniet me fqinjët tanë.

I njëjti problem u ngrit edhe pak kohë më parë, sepse emri i Kosovës nuk shfaqej në hartën e “Apple”. Përveçse qytetet ishin të shkruar serbisht, as kufiri me fqinjët nuk ishte i cakuar qartë dhe dukej sikur Kosova ishte pjesë e Serbisë.

Mijëra qytetarë nënshkruan një peticion online, që u mbështet dhe nga personazhet me famë ndërkombëtare si Dua Lipa, Rita Ora etj. Emri i Kosovës u shkrua më pas në hartë.