OPINION nga Edi Rama: Jeta që njohim do të rikthehet, por…
Transmetuar më 20-10-2020, 16:51

Kjo e sotmja është një përpjekje e shtuar për të bërë gjithçka që ne kemi mundësi, që të realizojmë një qëllim me dy objektiva.

Objektivi i parë; Të pengojmë përshkallëzimin e përhapjes së infeksionit jashtë një ritmi të arsyeshëm dhe ritmin e arsyeshëm mund ta përcaktojmë vetëm ne njerëzit, në mënyrë që të mbrojmë ata që janë më të dobët dhe të mbrojmë sistemin tonë nga një mbingarkesë që mund ta bënte objektivisht të pamundur shërbimin ndaj shumë qytetarëve, të cilët mund të mos preken nga COVID-i, por kanë nevojë për shërbimet e përditshme në shëndetësi.

Objektivi tjetër, jo më pak i rëndësishëm, për hir të së vërtetës; Për të shmangur me çdo kusht një mbyllje tjetër, e cila po tmerron gjithë botën, nga Presidenti i Francës, një nga fuqitë më të mëdha të botës në aspektin ekonomik, i cili e tha hapur para popullit të tij që Franca nuk e përballon dot një mbyllje tjetër, tek Kancelaria e Gjermanisë, e cila tha shprehimisht, ndër të tjera, përpara popullit të saj se “jeta siç e njohim do të rikthehet, por ky është momenti për të bërë durim më shumë se asnjëherë, për të mos përmbysur brenda pak kohësh të gjitha sakrificat shumëmujore pas shpërthimit të pandemisë.”

E pra, prandaj ne kemi vendosur të krijojmë këtë rrjet inspektoratesh, të cilat funksionojnë në ditë normale në mbrojte të shëndetit të njerëzve, funksionojnë në kohë normale për sigurinë e jetës që nga puna tek mjedisi, ushqimi, barnat dhe shëndeti dhe për të qenë në rrugë, kudo ku sipas hartës së venë në dispozicion dhe të përditësuar çdo jave janë ende burimet më të mëdha të rrezikut. Për të qenë në rrugë, jo për të vënë gjoba, sepse gjobat i vë policia, por për të sensibilizuar, për të komunikuar, por edhe për të lajmëruar policinë, për të bërë detyrën. Për të qenë në rrugë jashtë dhe brenda, për t’u vendosur në udhëkryqe, së bashku me punonjësit e policisë që kryejnë detyrën e vet të përditshme dhe për të parë me sytë e këtij rrjeti, me sytë e shtetit sjelljet e qytetarëve.

Politika e vendosjes së maskës ka ndryshuar në dinamikë, siç kanë ndryshuar shumë gjëra, edhe në nivelet më të larta të ekspertizës botërore, në qasjen ndaj këtij armiku të padukshëm. Ne nuk bëjmë përjashtim, përkundrazi. Ne thjeshtë jemi përpjekur të jemi nxënës të mirë, të vëmendshëm, të dëgjueshëm të zërave më të mirë, më autoritarë të botës. Dua sot ta them përsëri, ne kemi patur fatin dhe kur them “ne”, kam parasysh veten, ministren, qeverinë, që kemi patur në dispozicion një skuadër ekspertësh që ju siguroj, janë të nivelit të lartë ndërkombëtar. E duke dëgjuar, duke mësuar jemi adaptuar, siç janë adaptuar të gjithë.

Sot që flasim, vendosja e detyruar e maskës vazhdon të krijojë polemika në Europë dhe në Amerikë. Falë edhe gjuetisë, sportit global të sensacioneve dhe të lajmeve përmes kanaleve të pafundme të informacionit edhe në majën e botës, aty ku shkenca është në majë, aty ku ekonomia është në majë, aty ku drejtohet bota, gjen kryetituj kontradiktorë, nganjëherë edhe qesharakë. Sheh qasje kontradiktore, si në Francë, p.sh, ku merr gjobë kur ulesh në bar për kafe dhe nuk gjobitesh kur merr kafe në restorantin përballë. Apo si në Itali, ku pak ditë më parë bëri lajm një çift që putheshin pa maskë në një park ku s’kishte në një perimetër 100 metra rreth tyre asnjë, vetëm sepse nuk kishin të njëjtën adresë rezidence. Apo rasti i një kryebashkiaku në një qytet të Italisë, i cili vë gjoba pasi mban maskë në mjedise ku kjo nuk kërkohet nga ligji dhe justifikohet se maskat mund të përdoren edhe nga kriminelët dhe terroristët. Kështu me radhë, çudira pas çudirash.

Të gjitha këto çudira janë korniza e një pamje shumë të konsoliduar, vendosja me detyrim e maskës botërisht, kudo, si një përpjekje plus në këtë fazë që armiku i padukshmen është në ofensivën e tij të dytë. Një ofensivë që duket shumë më agresive sesa e para dhe në ndërkohë që gjen hapësirë për faktin që ne nuk jemi të mbyllur dhe nuk duam të mbyllemi.

Nuk duam t’u themi njerëzve që shkojnë në punë për të fituar për familjen e tyre dhe për të prodhuar për shtëpinë tonë të përbashkët, rrini në shtëpi.

Nuk duam tu themi atyre që lëvizin dhe që lëvizjen e kanë pjesë të pandashme të burimeve të tyre të të ardhurave, mos lëvizni më.

Nuk duam të mbyllim shkollat.

Nuk duam t’u themi studentëve që edhe këtë vit rrini në shtëpi.

Nuk duam t’u themi prindërve që kanë fëmijët e vegjël, që kopshtet janë të mbyllura.

Por si mund t’i bashkojmë këto të dyja, dëshirën dhe domosdoshmërinë për të mos u mbyllur me domosdoshmërinë për të mos u mbytur nën presionin e infeksionit dhe mbytja mund të vijë për pak javë, në rast se ne vazhdojmë sikur asgjë s’ka ndodhur, në rast se ne i bëjmë shqipet tre krenare që duan të fluturojnë lart, duan të bëjnë aheng së bashku dhe duan që COVID-in ta vrasë shteti me çifte. Apo më keq akoma, duan të jetojnë syhapur, por të shohin vetëm atë që kanë qejf të shohin dhe duan të dëgjojnë muzikë dhe jo zërin e arsyes dhe kur jua ndalon muzikën, dëgjojnë disa delirantë krejtësisht të dalë mendsh, që flasin për konspiracionin botëror, ku Bill Gates kërkon t’u fusë cipa në trup këtyre që rrinë në kafe gjithë kohën dhe që nuk i duhen as familjes e jo më Bill Gates.

Nuk ka asnjë mundësi tjetër, përveç kontributit të drejtpërdrejtë të secilit, të cilit nuk po i kërkohet të marrë armët e të shkojë në mal të mbrojë atdheun nga ndonjë pushtues, nuk po i kërkohet as të japë jetën, as të plagoset, por po i kërkohet thjeshtë të mos dalë nga shtëpia pa maskën, të ruajë distancën dhe të mos e provokojë këtë armik të padukshëm, që duan, s’duan, ata që s’duan, jo vetëm ekziston, por në rast se të gjen të dobët, të sakaton, të merr jetën.

Vjollca është një nga shumë dëshmitarët. Ne e dimë shumë mirë, sepse e kemi ndjekur ecurinë e luftë së saj, se në çfarë rreziku ishte. Unë e di shumë mirë se çfarë ndjesie ishte kur mjekët thonin “nuk e dimë, gjithçka mund të ndodhë” e mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Prandaj, kurrë mos shkoftë puna deri aty e që të mos shkojë puna deri aty, ti mund ta marrësh, por ta marrësh jo sepse e kërkon, as sepse e provokon, as sepse i bën karshillëk. Dhe kështu zvogëlohen numrat.

Kudo në vendet më demokratike të planetit po vendosen në vazhdimësi ligje dhe rregulla shumë më të forta se këto që kemi ne. Ndërkohë që këtu, disa delirantë flasin për diktaturë. Madje ka disa që shkruajnë nga Gjermania e thonë “Rroftë Partia e Punës”, “rrofshin idealet e partisë”, bëjnë edhe ironi. Ndërkohë janë në mes të Gjermanisë dhe e shohin shumë mirë çfarë ndodh atje, ata që janë në mes të Britanisë së Madhe e shohin shumë mirë çfarë ndodh atje dhe ata në mes të Amerikës, se çfarë ndodh atje.

Por këta janë dyfish të rrezikshëm, janë të rrezikshëm për vetën e për familjen e tyre, janë të rrezikshëm edhe për të tjerët. Si mbahen këta njerëz pa ligj e pa rregulla, kur nuk duan të marrin vesh?

E nuk janë vetëm këta. Çdo pyll ka derrat e vet, çdo popull ka delirantët dhe injorantët e vet, çdo shtet ka problematikat e veta. Përndryshe nuk do të kishte nevojë të vendoste ligje e rregulla as Gjermania, as Franca, as Britania e as Amerika. Do thonin thjesht, le të bëhet kështu e të gjithë do ta zbatoni. Po nuk është kështu.

Ashtu sikundër maska krahasohej me të drejtë, në një editorial të New York Times, me taksën. Ti e paguan taksën, jo sepse e ke pasion, e paguan sepse je i detyruar ta paguash. Në rast se nuk e ndjen si detyrim, do ta paguash me zor, të vjen pahiri i ligjit. Editoriali thoshte që të paktë janë ata, sipas të gjitha studimeve, që taksat i paguajnë me dëshirë, sepse janë të bindur që ky është kontributi i tyre për shoqërinë dhe shtetin, ndërkohë që shoqëria dhe shteti kanë investuar tek ty, në një mënyrë apo në një tjetër. Po të mos investonin tek ti, do të ishe në pyll. Kanë investuar në breza dhe investojnë çdo ditë. Pjesa tjetër i paguan nga frika, ose se kështu bëjnë të gjithë, shkruante New York Times.

E pra, në rastin e maskës, kjo nuk duhet të mbahet me detyrim nga frika.

Më besoni, unë personalisht, kur dal dhe vë këtë, nuk ndjehem as i lumtur, as i çliruar. Përkundrazi ndjehem i bezdisur. Nuk e vë nga frika se do më ndalojë policia në rrugë, por e vë sepse është detyrim fillestar, elementar, thelbësor, njerëzor dhe qytetar, për të mos u bërë shkak që të tjerët të marrin infeksionin, në rast se e marr unë, por edhe për të kontribuar që të gjithë së bashku të bëjmë gjënë e duhur.

Shteti nuk është një palë tjetër. Qeveria nuk është një palë tjetër. Ne jemi sot, në një detyrë ku, kur më duhet të flas për këtë, më kujtohet ai presidenti i Amerikës që tha “çdo gjë do jepja që të mos isha këtu, sot dhe të mos flisja për këtë e të merresha me këtë”.

Por ja që detyra vjen me të gjitha përgjegjësitë dhe me të gjitha sfidat, të cilat i zgjedh, por edhe nuk i zgjedh, të zgjedhin.

Sot jemi ne dhe gjithë bota para një enigme; Çfarë do të ndodhë nga përzierja bashkë e dy armiqve, e armikut të zakonshëm të vjeshtë-dimrit, gripit sezonal, viruset që janë vërdallë sa herë vjen vjeshta dhe dimri dhe këtij armiku të ri.

Nuk ka nevojë të jemi të lexuar në çështje shëndetësie që të dimë që gripi ta dobëson trupin, ta ul imunitetin. E në një trup të dobësuar nga gripi sezonal dhe me një imunitet të ulur, të vjen ky tjetri të futet në trup e mund të bëjë kërdinë.

Kancelarja gjermane, dje u bënte thirrje gjermanëve të mos shkonin në aktivitete, festa, dreka, darka jashtë shtëpie, nëse nuk e kishin të domosdoshme. Për çfarë arsye? Edhe për këtë arsye. Me ajrin e kondicionuar, me gripin sezonal, pa maskën, se nuk mund të mbash maskë kur je ulur në restorant, je shumë më i ekspozuar dhe të tjerët rreth teje janë më të ekspozuar në rast se ti je bartës.

Ne aplikojmë gjoba prej ditës së parë. Kemi vendosur një gjobë për maskën dhe çohet, – ndjesë se nuk do të duhej të ishte subjekt i një komunikimi të tillë, Presidenti i Republikës – Presidenti i Republikës e flet për gjobën për maskat si shantazh ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Sepse për të, që vetëm President i Republikës nuk është, nuk ka rëndësi, fare, asgjë tjetër, përveçse si të helmojë dhe të dëshpërojë popullin e vet, në mënyrë që kur të vijnë zgjedhjet, të mbledhë ç’të mundet për atë Sh.p.k-në e tij të falimentuar e të degraduar nga krimi dhe nga dëshpërimi.

Ndërkohë që këtu nuk luhet.

Imagjinoni Mbretëreshën e Anglisë të dalë e të thotë që gjoba për maskën, që në Britaninë e Madhe është nga më të lartat, është shantazh ndaj lirive e të drejtave të grigjës sime. Imagjinoni të dalë Presidenti i Francës, imagjinoni të dalë Kancelarja, imagjinoni të dalë Presidenti i Gjermanisë, imagjinoni të dalë Presidenti i Italisë. Në ndërkohë që sot, gjoba në New York shkon deri në 15 mijë dollarë për shkelje të rregullave të vendosura e për mos vendosjen e maskës aty ku maska tanimë është e detyruar e kur vetëm kur vrapon, mund të heqësh maskën e po të kapi policia si vrapues që je duke ecur, merr gjobë deri në 15 mijë dollarë. Në vendet e Europës shkon mesatarisht 1000 euro. Gjobat që shkojnë deri në ekstremet si ai që u thashë, një çift që puthen në një park ku nuk ka njerëz dhe marrin gjobën se nuk kanë të njëjtën adresë, në këto vende përdoren si mjet disiplinimi represiv, sepse kjo është luftë.

Duam apo nuk duam ne, kjo është luftë. Nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur.

Si mund të thuash shantazh ndaj lirive e të drejtave të njeriut?

Si mund të bësh karshillëqe të tilla, sikur je në pyll?

Ndërsa në Shqipëri, gjoba 3 mijë lekë, më shumë sesa një mjet represiv disiplinimi, është një shtysë për të rritur sensibilizimin. Në fund të ditës, edhe kjo vlen e të gjitha mjetet duhen përdorur.

Këto 5 ditë janë vendosur 2800 gjoba, por janë evituar dhjetëra mijëra të tjera, sepse njerëzit, edhe për shkak të gjobës kanë vendosur maskën. E thonin disa, nuk e besojmë COVID-in, por kemi frikë nga gjoba.

Po mirë, çfarë të bëjmë ty ta besosh?

Çfarë do tjetër që ta besosh COVID-in, kur sheh sesi gjithë bota është alarmuar?

Mund të çmendet një, mund të çmenden dy, mund të çmenden tre, por nuk mund të çmendet gjithë bota në të njëjtën kohë. Nuk mund të çmenden demokracitë më të mëdha, që kanë gjithë ato pushtete kontrolluese e që nuk i lë njeri të marrin për hunde popullin e ta fusin nëpër teori konspiracioni. Këto janë marrëzi të papara, të cilat sigurisht stimulohen dhe përhapen edhe nga media që përpara audiencës, përpara klikimeve, përpara like-ve e share-ve nuk pyesin as për njerëzit që punojnë aty, as për familjarët e tyre.

Në cilën luftë mundet që burimet e informacionit të çorodisin dhe të torolisin njerëzit në këtë farë feje?

Është e pamoralshme, është e paudhë, por kjo nuk ndodh vetëm këtu. Kjo ndodh kudo e duhet të jetojmë me këtë.

Rrjeti juaj nuk është një rrjet për të vënë gjoba. E përsëris, të gjithë këtë luftë nuk e kemi parë si luftë ku shteti, qeveria duhet të turret ndaj qytetarëve për t’i vënë nën presionin e gjobës, por e kemi parë si një luftë të përbashkët, ku ne kemi detyrën tonë, çdo qytetar ka detyrën e vet individualisht e ku të gjithë së bashku duhet të bëjmë pjesën që na takon. E në këtë aspekt kemi qenë shumë të vëmendshëm që të gjitha inspektoratet, duke përfshirë edhe ato të tatimeve, të mos i bëhen havale njerëzve në këtë fazë kaq të vështirë, kur kanë hapur dyqanet dhe bizneset pas një mbylljeje që solli pasoja, por, përkundrazi, kemi hequr taksën për biznesin e vogël, e kemi bërë zero bashkë me TVSH-në. Kjo është gjysma e punës. Gjysma tjetër është ajo që nuk duket drejtpërdrejtë kur thua kemi hequr taksën, që u kemi hequr nga qafa inspektorët e kontrollorët, u kemi hequr nga qafa abuzuesit brenda këtyre strukturave, që për fat të keq ekzistojnë kudo.

Ju jeni të gjithë të pajisur me këto jelekë sot dhe jeni engjëjt mbrojtës të njerëzve. Nuk jeni xhagajdurët, as policia civile, jeni engjëjt mbrojtës të njerëzve. Kryeinspektori duhet të marrë përsipër këtë proces, duke qenë në bashkëpunim të ngushtë me ministren, me autoritetet për detyrat e ditës, në bazë të hartës së veprimit ku duhet vendosur forca më e madhe. Ju jeni në pozitë sensibilizuese e në rast shkeljesh, ju thjesht njoftoni policinë. Ju nuk keni bllok, nuk keni laps, ju keni vetëm mjetin e komunikimit që njoftoni dhe kaq. Jo një stres më shumë për njerëzit, por një ndihmë më shumë dhe një aleancë më shumë me njerëzit, për të bërë të mundur që t’ia dalim kësaj lufte të mallkuar e për të bërë të mundur që gjithë vija e zjarrit të jetë nën kontrollin e mjekëve dhe të infermierëve.

Del tjetri e thotë, – Coli me Lolin, – se kapacitetet janë ezauruar, spitalet janë tejmbushur, nuk ka vend në spitale e njerëzit po lihen rrugëve. Çfarë janë këto!

Këto janë skandale morale të pagëlltitëshme, sepse sot, ne jemi absolutisht të përgatitur për më të keqen, por duam që ta mbajmë më të keqen larg. Sot nuk kemi problem kapacitetesh nëpër spitale. Në dy spitalet COVID, sot kemi 1\4 e kapacitetit bosh akoma, por ritmi i numrave tregon që mund të mbushen në një kohë të shkurtër. Nëse ne nuk bëjmë secili tonën, mund të mbushen në një kohë edhe më të shpejtë dhe ky është çelësi që ne duhet ta mbajmë në dorë e nuk duhet të na e marrë armiku i padukshëm dhe të na i hapë spitalet jashtë kontrolli. Pastaj të detyrohemi të merremi vetëm me ata që kanë alarmin e COVID-it në trup e të lëmë mënjanë të tjerët, që kanë patologjitë e tyre.

Janë dy spitale të tjera, bashkë me gjithë ekipin, gati për t’u hapur në rast se do të jetë nevoja dhe kur të jetë nevoja, menjëherë do hapen. Edhe në rast se ato dy të tjerat do të kenë kapacitete të ezauruara, – uroj jo, – ka të tjera në radhë që janë gati, një sistem i tërë është gati, por kjo nuk do të thotë që ne të luajmë.

Vetëm tani që flasim, instalohen në sistem 60 respiratorë plus. Nuk kemi pasur problem, asnjë sekondë, për nevojën për oksigjen të njerëzve. Përkundrazi, në kapacitete oksigjenuese jemi në minimume, në raport me gatishmërinë tonë dhe fatmirësisht nuk ka qenë nevoja për më shumë.

Nuk ka asnjë medikament, – zero – që përdoret në Amerikë, në Francë, në Gjermani dhe nuk është këtu për COVID-in. I kemi ndjekur dhe i ndjekim në kohë reale dhe veprojmë në kohë reale për çdo gjë të re që del. Edhe trajtimi i posaçëm me plazmën doli në Itali, menjëherë sollëm këtu mjekët italianë. Menjëherë, gati!

Zoti e desh Shqipërinë që nuk erdhi COVID-i kur i kishin këta në dorë gjërat e nuk na gjeti me spitalet e këtyre, se atëherë do ishte çfarë do ishte. Atëherë do shikonim çfarë do shikonim, atëherë do thonim nuk dimë kush është e keqja më e madhe, COVID-i apo këta.

Nuk më mbetet tjetër, të përsëris që nuk jemi në këtë luftë as vetëm, as të vetmit. Jemi thjesht dhe vetëm një nga hallkat e një zinxhiri shumë të gjatë të të gjitha shteteve.

Jeta që njohim do rikthehet, thotë Kancelarja, por ky është momenti si individ dhe si shoqëri të kujdesemi më shumë për njëri – tjetrin. Veçanërisht të kujdesemi për të afërmit tanë me probleme shëndetësore, apo në moshë të tretë, – fjalët e Kancelares. Ky është momenti të bëjmë edhe një herë, më shumë durim, sepse parafytyrojeni atë që unë nuk dua ta parafytyroj asnjë sekondë, të fillojmë prapë me karantinë të përgjithshme, të fillojmë prapë me “mos dilni më nga shtëpia”. Të fillojmë prapë me dilni një orë për të marrë ajër, të dalin nëna me djalin dhe burri të lajë xhamat, që do ishte e vetmja gjë pozitive në fakt, por është shumë pak në krahasim me atë që humbasim. Se që të lanin xhamat këta që rrinë e flasin gjithë ditën dhe nuk kanë xham mbrojtës fare, do ishte arritje e madhe.

Ju uroj ta bëni këtë punë me përkushtim. Nuk është një punë e përditshme, është një mision humanitar i të gjithëve ju, me në krye ministren, kryeinspektorin, për të bërë çmos të ulim intensitetin e shpërndarjes. Virusi nuk ikën, e kemi stërthënë. Do kërkojë kohën e vetë. Vaksina nuk ka dalë e nuk e dimë kur do dali, do kërkojë kohën e vetë.

Ajo që kemi në dorë është të ulim intensitetin dhe të mos bëjmë atë që bënë njerëzit në 1918-ën, kur pas valës së parë, fituan lirinë dhe nga 50 milionë të vdekur, 80% e tyre i mori vala e dytë. Kishte dhe një valë të tretë më pas, por te vala e tretë kishin nxjerrë mësime e nuk bëri njeri shumë numra. Mos ta bëjmë atë!

Nuk jemi në 1918-ën.

Nuk kemi nevojë të shikojmë një katastrofë që me duart tona ose mund ta frenojmë, ose mund ta sjellim mes nesh.

📍Kryeministria – 🔴MASKAT si kontribut individual dhe publik në luftën e përbashkët #antiCOVID dhe respektimi i rregullave për të mos lejuar një MBYLLJE TJETËRNjë rrjet inspektorësh #antiCOVID në krye të detyrës në rrugë e në mjedise të mbyllura, për zbatimin e masave nga qytetari më i thjeshtë deri tek biznesi më i madh, me zero tolerancë për zbatimin e ligjit, për të mbrojtur shëndetin!⬇️Mos harroni 🙏😷 #maskë ↔️ #distancë 🧼 #higjienë

Publiée par Edi Rama sur Mardi 20 octobre 2020

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me rrjetin e inspektorëve të angazhur në respektimin e masave antiCOVID