OPINION nga Mero Baze: Përse Greqia kërkon “zero” probleme me Shqipërinë?
Transmetuar më 21-10-2020, 00:23

Shqipëria dhe Greqia ranë dakord të zgjidhin në Gjykatën Ndërkombëtare cështjen e kontestuar të ndarjes së kufirit detar, pas anullimit të Marrëveshjes Berisha Karamalis nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Bisdimet e rinisura nga pala shqiptare, përmes ministrit të jashtëm Ditmir Bushati dhe atij grek Nikos Kocias, u ndërprenë, pasi të dy ministrat u shkarkuan dhe u zëvendësuan nga krymeministrat përkatës, që emëruan ministra në detyrë.

Në atë kohë pala greke shpërndau versionin se Bushati u shkarkua nga Edi Rama, pasi kishte negociuar me Niko Kocias, një marrëveshje në favor të Greqisë. Për këtë i referohehsin vet deklaratave të Kocias.

Gazeta  Liberale.gr në Greqi, shkruante se Rama “ u kujdes të mënjanonte nga qeveria e tij Ditmir Bushatin, ministrin e Jashtëm, i cili ishte në bisedime me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, sipas të cilit, ishte bërë përparim i madh.” https://www.liberal.gr/diplomacy/o-tourkikos-daktulos-sta-tirana-kai-i-boulisi-rama-gia-aoz/307303 .

Gazetari lë të kuptojë se përparimi mes Kocias dhe Bushatit nuk ishte në një vijë me perceptimin e zyrës së kryeministrit për marrëveshjen e mundëshme. Më tej akoma ai aludon se pas shkarkimit të Bushatit, qëndron Turqia, e cila në mendjen e shumë politikanve grek, ashtu si në mendjen e Berishës, perceptohet si roja jonë kufitare e kufirit detar me Greqinë.

Në Shqipëri ky debat është shmangur dhe Bushati nuk ka shpjeguar kurrë publikisht se deri në cfarë pike shkuan bisedimet me Greqinë dhe ku ndryshonte parimi që ai po negocionte, me parimin me të cilin Berisha kishte nënshkruar Marrëveshjen që hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese.

Tani që cështja ju delegua Gjykatës Ndërkombëtare, palët janë të cliruara nga debati politik rreth vijës kufitare detare  dhe pala shqiptare akoma më shumë mbetet e cliruara nga cdo detyrim që ka me palën greke, përvec respektit për pakicën greke në Shqipëri, i cili nuk mungon.

Pala greke mbetet të plotësoj premtimin e saj për heqjen formal të ligjit të luftës me Shqipërinë, i cili po shërben më shumë si një atavizëm helmues i  raporteve mes dy vendeve, pasi realisht ai është tejkaluar me Traktatin e Miqësisë mes dy vendeve të vitit 1996 dhe raportet mes dy vendeve si anëtare të NATO.

Por realisht problemi kryesor i Greqisë është vija kufitare detare me Shqipërinë, jo për ato paranojat shqiptare të 12 miljeve, por për shkak se ajo është në prag të një konflikti të hapur ushtarak me Turqinë, për një cështje të ngjashme.

Ajo ndërkohë ka zgjidhur problemin me vijën kufitare detare me Italinë dhe Egjyptin. Me Italinë ata i  janë përmbajtur marrëveshjes së vitit 1977 për shelfin kontinental, që ka parim vijën e mesme të korrektuar. Turqia kërkon të njëjtin parim, por në kushtet kur ishulli i fundit grek është nën 12 milje më afër me bregun turk, ky parim është i papranueshëm nga Greqia dhe cështja po shkon drejt konfliktit ushtarak.

Për këtë arsye Greqia është e lumtur që cështja e kufirit me Shqipërinë të shkoj në Gjykatë Ndërkombëtare, ndërkohë që në SHqipëri nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese të certifikoj cdo vendim politik.

Me cuarjen në Gjykatë Ndërkombëtare Greqia shmang paranojën që ka ashtu si dhe Berisha, që ne ndikohemi nga Turqia në vendimet rreth vijës kufitare me Greqinë. Duke e cuar në Gjykatë Ndërkombëtare, Greqia kërkon ta heq nga mendja këtë skenar.

Edhe sot shtypi grek shkruan se në Pasha Liman në Vlorë janë instaluar luftanijet turke që të “mbrojnë” vijën detare shqiptare. Natyrisht kjo është një përrallë, por që në rastin konkret, ka bindur grekët të shkojnë në Gjykatë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër Greqia shpreson që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare dhe parimi që ajo do përdor për të gjykuar kontestin shqiptaro grek për vijën kufitare, ti imponohet dhe Turqisë në të ardhmen.

Për këtë arsye Greqia nuk është e interesuar të bëj debat edhe me Shqipërinë për këtë cështje, përderisa nuk ka ndonjë konflikt të hapur me të. Ajo synon ta izoloj debatin për kufirin vetëm me Turqinë, për të ndarë Perëndimin pro dhe kundra saj. Dy probleme me kufijtë, do ta bënin më të dobët pozicionin grek përball Turqisë dhe kjo është arsyeja që ata ndjehen mirë që  cështja e Shqipërisë ti kaloj Gjykatës ndërkombëtare.

Ajo ka nevojë reale për zero probleme me Shqipërinë, pasi ka prioritet krizën turke që është reale. Krizat me Shqipërinë ka qenë gjithnjë konsum politik. Në Shqipëri mbajnë gjallë Vangjel Dulen dhe Shpëtim Idrizin, ndërsa në Greqi kanë pas mbajtë gjallë “Agimin e Artë”. Tani “Agimi i Artë” ka dal jashtë ligji kurse Dulja e Idrizi janë futur bashkë në një koalicion me Lulzim Bashën. Kështu që nuk ka nevojë askush të ushqehet me kriza artificiale.

Mero Baze / Gazeta TemA

* Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA