Transmetuar më 21-10-2020, 07:00

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump nuk mori pjesë të martën në një tubim fushate me Presidentin Donald Trump për shkak të një kolle të zgjatur nga Covid-19, sipas shefes së personelit të saj, Stephanie Grisham.

Grisham tha të martën se shëndeti i zonjës Trump vazhdon të përmirësohet çdo ditë pasi ajo dhe presidenti njoftuan në fillim të tetorit se ishin infektuar me koronavirusin.

Zonja e parë ka vendosur të mos e shoqërojë Presidentin Trump në një tubim fushate të martën mbrëma në Erie të Pensilvanisë si një "masë shtesë kujdesi", tha zonja Grisham.

Melania Trump, e cila njoftoi javën e kaluar se ishte shëruar nga Covid-19, bëri paraqitjen e saj të fundit publike gjatë debatit të 29 shtatorit midis Presidentit Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden.

Por kanë kaluar më shumë se tre javë që kur ajo njoftoi se ishte infektuar dhe tani, situata e saj duket ende shqetësuese për shkak të një kolle të zgjatur. Në faqen r Shtëpisë së Bardhë, Melania Trump shkruan se ndjehet "ekstremisht e lodhur" pas prekjes nga virusi Covid-19.