Transmetuar më 21-10-2020, 13:19

Imazhi që shikoni nuk është arkiv, por i orëve të fundit. Kush mendon se bastet dhe lojëra të tjera fati janë zhdukur nga Shqipëria, e ka gabim. Ato vazhdojnë të lulëzojnë, por në të zezë.

Duke e ditur këtë fakt, Policia e Shtetit ka nën proces prej kohësh, atë që e ka emërtuar operacioni policor "Fati i lojërave”.

Gjatë natës duke gdhirë dita e sotme është goditur një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Operacioni u zhvillua nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, Komisariatin e Policisë Kurbin dhe forcat speciale RENEA dhe arrestuan dy persona, raporton noa.al.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, forca speciale RENEA kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente në Kurbin, Milot dhe Lezhë.

Në aksin rrugor Milot – Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Gj. P. dhe që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit, 421.000 lekë të rinj, 3325 euro dhe tri kasaforta të mbyllura.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë të riun Gj. P., 28 vjeç, banues në Mamurras dhe shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Thumanë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. /noa.al/