COVID-19, “sëmundja e të pasurve” që po rrënon shqiptarët
Transmetuar më 21-10-2020, 21:08

Të infektohesh nga koronavirusi nuk prek vetëm friken nga vdekja por edhe rrënimin ekonomik. Ata që e kanë kaluar e cilësojnë “sëmundjen e të pasurve”, pasi trajtimi për kurimin e koronavirusit kërkon shpenzime të mëdha dhe jo vetëm për medikamente.

Engjëllushe Burreli na tregon se pensioni i saj dhe i bashkëshortit Kujtim, tashmë i shëruar nga virusi, nuk mjaftonte as për detergjentet që duheshin me tepricë gjatë izolimit në shtëpi.

“Të fillosh nga dezinfektantët e shtëpisë njëherë, pastaj ato për veten tende, kjo është sëmundje krajlash, për ata që kanë, sepse i përballojnë kostot.

Edhe pse sëmundjen nuk e kaloi në formë të rëndë, lista e ilaçeve për Kujtimin ishte e gjatë, një pjesë i vazhdon edhe sot. Por edhe ushqimin në ato tre javë, ishte trajtim me vete. Pa ndihmën e fëmijëve nuk do ia kishin dalë.

“Sëmundja është e frikshme, të themi të drejtën, por e kushtueshme. Ilaçe, vitamina, por edhe frutën. Kemi shpenzuar 800 mijë lekë të vjetra për tri javë. Na ka shkundur financiarisht,  por fatmirësisht kemi patur ndihmën e fëmijëve”, thotë çifti.

Sa më e rëndë të jetë forma e sëmundjes, aq më të larta janë shpenzimet dhe dy apo trefishohen kur në familje ka të tjerë të infektuar. Shërimi  nuk ka qenë i lehtë për ish-zëvendësministren e Arsimit Nora Malaj dhe bashkëshortin e saj, pavarësisht financave më të shëndosha.

“Ishte e kushtueshme, familjarisht na kushtoi 4 mijë euro, për situatën e rënduar ku u gjetëm. Përtej pagave të mira që kam marrë ndër vite, edhe unë hoqa disa gjera për të realizuar shëndetin, që vjen i pari”, pohoi Malaj për A2.

Trajtimin për rikuperimin e vijon edhe sot. Por pasi provoi Covidin në familjen e saj, ish-deputetja e opozitës thotë se qeveria duhet të ofrojë paketa ndihmëse për popullatën që preket nga virusi.

Trajtimi financiar për koronavirusin është i ndryshëm në varësi të gjendjes që kalon pacienti. Ai fillon nga 10 mijë lekë të rinj për asimptomatikët, të cilët mund të konsumojnë vitamina, deri në mijëra euro për ata që e kalojnë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndoshta u duhet dhe trajtim jashtë vendit. Ndërkohë, listës së shërbimeve për pacientët që e kalojnë rëndë  dhe në shtëpi koronavirusin i është shtuar dhe një aparat i cili nga depot farmaceutike tregtohet 90 mijë lekë të rinj ose me qira 6 mijë lekë me qira për dy javë.