Qeveria shpall planin: Vlora do ketë aeroportin kryesor të Shqipërisë, nuk do jetë më Rinasi
Transmetuar më 23-10-2020, 00:45

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli mbrëmjen e së enjtes mbi projektet ndërtuese për aeroportet e vendit. Ajo tha se qeveria shqiptare ka planifikuar ta kthejë Aeroportin e Vlorës në aeroportin kryesor të Shqipërisë.

“Vlorën synojmë ta kthejmë në aeroportin kryesor të Republikës së Shqipërisë. Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet me gjatësi tjetër piste. Tirana dhe Vlora do të jenë në garë me tyre, dhe kjo do të sjellë shërbime më të mira. Padyshim që të gjitha këto do të shkojnë në përfitim të qytetarëve”, tha ajo.

Ministrja gjithashtu u ndal edhe tek aeroporti i Kukësit. Sipas Ballukut ai i Kukësit është konceptuar që të shërbejë si aeroport rajonal, përfitues të të cilit do të jenë jo vetëm kuksianët që ndodhen në emigracion, por edhe qytetarët nga Kosova.

Më tej, znj, Balluku shtoi se aeroporti i Sarandës është menduar të jetë një aeroport sezonal, që në thelb do ti shërbejë sektorit të turizmit.

“Aeroporti i Kukësit është aeroport rajonal, nuk ndërtohet vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, sepse me të vërtetë është Prishtina, por banorët e Ferizajt kanë më afër Kukësin. Është një aeroport për nevojat e asaj zone. Nëse ajo zonë ka emigracion, ato destinacione do të mbulojë.

Aeroporti i Sarandës është aeroport sezonal që do të akomodojë nevojat e fluturimeve të posaçme, dhe flurimet do të jenë nga Prilli deri në tetor. Janë bërë të gjitha me studime”,  shtoi ajo.

Gjithsesi, të gjitha deri tani janë fjalë në eter. Aeroporti i Kukësit u ndërtua thuajse i tëri 10 vjet më parë me financim arab, por kurrë nuk përfundoi. Edhe sot është larg hapjes.

Aeroporti i Vlorës dështoi të ndërtohej pasi turqit e Turkish Airlines dhe qeveria e kontrolluar nga Erdoğan u tërhoqën. Edhe pse që vjet ky aeroport do të kishte fluturime, aty asgjë nuk ka filluar.

Aeroporti i Sarandës, është vetëm një ide. As që dihet nëse do të ndërtohet ndonjëherë dhe sa kohë do të marrë.