Transmetuar më 16-11-2020, 17:17

Llogaritet në rreth 100 milionë euro shuma që buxheti i shtetit ka paguar për koncensionet në shëndetësi, që nga viti 2015, kur filloi për herë të parë zbatimi i kontratave të Partneritetit Publik-Privat, deri në maj të vitit 2020.

Ndërsa do të paguhen edhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim. Aktualisht, janë aktive katër kontrata PPP në shëndetësi: sterilizimi, check up, dializa dhe laboratorët.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, niveli më i lartë i financimit të tri koncensioneve të para u arrit në vitin 2019, me 3,8 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë euro. Për vitin 2020, pas pandemisë, financat e kanë rishikuar buxhetin me ulje dhe pagesat totale parashikohen në total 2,8 miliardë lekë, ose 25% më pak se në vitin 2019.

Në pjesën e dytë, të këtij viti, filloi zbatimi i koncesionit të katërt, atij të laboratorëve, për të cilin janë parashikuar 400 milionë lekë.

Katër koncesionet, check-up nga 2015, sterilizimi, dializa nga 2016 dhe së fundmi laboratorët, janë parashikuar për një periudhë 10-vjeçare, për një shumë totale prej 45,5 miliardë lekësh, ose rreth 370 milionë euro.

Por, shtron pyetjen A2CNN, sa eficente kanë qenë këto shpenzime të bëra deri më tani dhe a kanë sjellë vlerë të shtuar për shëndetësinë shqiptare?