De Biazi “tradhton” shqiptarët, për të motivuar Azerbajxhanin!
Transmetuar më 17-11-2020, 14:09

Xhani de Biazi zhgënjen të gjithë shqiptarët me deklaratat e tij të fundit. Para ndeshjes së fundit në grup në Nations League ndaj Luksemburgut në transfertë që vlen qëndrimin në Ligën C për përfaqësuesen azere, për të motivuar skuadrën e tij, trajneri italian ka përmendur shembullin e Shqipërisë, duke nënvizuar se shkoi në Europian me një skuadër më të dobët se ajo që drejton aktualisht.

Ai e cilëson kombëtaren kuqezi që bëri realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve në vitin 2016 një skuadër më të dobët se Azerbajxhani aktualisht.

“Ne kemi lojtarë të mirë. Unë i jap rëndësi çdo detaji, që nga ushqimi i lojtarëve e deri te pushimi. Siç e kam thënë nga dita e parë, ne duhet të ndryshojmë mentalitetin, ia kam shpjeguar se ata kanë potencial. I shpjegova lojtarëve që unë jam kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian me një skuadër më të dobët se ata. Këta lojtarë duhet të kenë besim te potenciali i tyre”, deklaroi De Biazi.