Ishte i pastrehë, gjobitet rëndë pse kishte dalë në rrugë gjatë orarit kufizues
Transmetuar më 21-11-2020, 12:34

Një i pastrehë në Itali është gjobitur pas masave të reja pasi ka dalë nga shtëpia, ndonëse ai jeton prej 10 vitesh rrugëve.

63-vjeçari me emrin Pasquale është ndëshkuar me 280 euro gjobë në 19 nëntor nga Policia e Komos, për shkelje të masave antikoronavirus.

Efektivët e panë të moshuarin në qendër të qytetit, aty ku ai kishte zënë vend, dhe e gjobitën.

Edhe pse zyrtarisht ai kishte shtëpi, Pasquale Giudice, për arsye që nuk dihet ka 10 vite që jeton në rrugë dhe e mban frymën gjallë duke kërkuar lëmoshë.

Angelo Orsenigo, këshilltari rajonal i demokratëve në Komo, e konsideroi masën ndëshkuese “qesharake dhe mizore”.

“Është qesharake dhe mizore që të ndëshkohet një person që nuk ka se ku të futet për të respektuar karantinën”.

“I kërkoj autoriteteve që ta tërheqin gjobën jo vetëm sepse është e pamundur që të paguhet nga i moshuari, por edhe për faktin se përforcon përshtypjen se Komo dhe institucionet e tij nuk kanë mëshirë për të varfërit në një moment kaq të vështirë që po kalojmë”, u shpreh Orsenigo./a.m/NOA.al