Transmetuar më 28-11-2020, 16:39

I riu që shihni në foto është Denion Fiku, 20-vjeçari që u kap sot nga policia në Bulqizë me kallshnikov dhe shotgun në makinë.

Ai lëviste bashkë me dy shokë të tij nga Tirana, dhe pas një kontrolli të imtësishëm u konstatuan armët e ftohta dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit Denion Fiku, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë"; si dhe shtetasve Saimir Hallaçi 24 vjeç dhe Andi Çuni 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Po ashtu mësohet se i riu i arrestuar është djali i Dëfrim Fikut, kryetar i PD-së në Bulqizë dhe rezulton se është dhe simpatizant i “flaktë” i Partisë Demokratike.

Pas vëzhgimit në rrjetet sociale, i riu shihet se ka postuar foto nga koha kur PD zhvillonte protesta përballë Kryeministrisë.

Madje Fiku ka bërë dhe një foto me liderin e PD-së, Lulzim Basha.

Babai i tij, Dëfrim Fiku u rizgjodh për të drejtuar degën e PD-së në Bulqizë në vitin 2018. Më parë, Dëfrim Fiku ka drejtuar Komunën Zerqan.

/S. H   /NOA.al