“Ndihmon luftën ndaj pastrimit të parave”, Meta dekreton ligjin për regjistrin e llogarive bankare
Transmetuar më 08-01-2021, 20:48

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin e ri, “Për Regjistrimin Qendror të Llogarive Bankare”. Ky ligj është një akt i ri që do të shtojë më shumë mekanizmat ligjorë dhe instrumentet për parandalimin e keqpërdorimit të sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 154/2020 “Për Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare”, si një akt i ri që do të shtojë më shumë mekanizmat ligjorë dhe instrumentat për parandalimin e keqpërdorimit të sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë.

Ky ligj pritet të jetë një mjet më shumë në dorë të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër pastrimit të parave dhe të produkteve, që burojnë nga veprat penale, për parandalimin e financimit të terrorizmit, si dhe për lehtësimin e procedurave të mbledhjes së detyrimeve tatimore, taksave apo tarifave, në nivel qendror apo vendor. /a.m/NOA.al