Transmetuar më 18-01-2021, 10:03

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe ka denoncuar se është kërcënuar me jetë. Sipas burimeve, Meçe ka depozituar një kallëzim në Policinë e Tiranës lidhur me ngjarjen.

Mësohet se avokati është kërcënuar me anë të një mesazhi me tekst, përmbajtja e të cilit sipas ‘Abc news’ është: “Shiko familjen, mos u merr me hallet dhe kusuret e Shullazit”.

Vladimir Meçe, që prej prillit të vitit 2016 ka qenë avokati i Emiljano Shullazit, i cili për një kohë të gjatë ishte cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i një grupi kriminal që vepronte në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Ai akuzohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”,  dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.

Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, ndërsa Endrit Qyqja, Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.

Që në verën e vitit të shkuar, së bashku me anëtarë të grupit të tij, Shullazi i është nënshtruar regjimit të posaçëm të izolimit në burg, siç quhet ndryshe edhe ’41 bis’.

Që do të thotë se të dënuarit, do të kenë kufizim të të drejtave me qëllim parandalimin e kontakteve që ata kanë me organizatën kriminale ku bënin pjesë apo me organizata të tjera aleate; konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare; si dhe ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunonin. /e.a/noa.al/