Transmetuar më 18-01-2021, 10:20

Bashkëshortja e mjekut të njohur infeksionist dhe drejtorit të spitalit Covid-4 në Tiranë, Arjan Harxhi, ka mohuar lajmet se bashkëshorti i saj po kurohet kundër COVID në Turqi me lekët e taksapaguesve.

Mjekja dermatologe, Erjona Shehu, shkruan në një postim në rrjetet sociale se është e pavërtetë që Prof. Arjan Harxhi të jetë dërguar në Turqi me fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas saj ai është dërguar për një mjekim më të specializuar me shpenzimet e familjes.

Shehu më tej shton se këto lajme kanë prapavijë politike dhe se “kushdo lëtyrë politike, që ka dashur të përfitojë nga ky lajm i gënjeshtër i them: Ju kam lënë Zotin!”.

Postimi i Erjona Shehut:

Të nderuar miq!

Prej dates 6 janar, në media u bë publik një lajm I PAVËRTETË, sipas të cilit Prof. Arjan Harxhi u dërgua për kurim për Covid 19 në Turqi me fondet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Prof. Arjan Harxhi, i cili bëri një forme agresive të Covid 19, për shkak të ekspozimit të madh karshi Covid 19, është dërguar në Turqi me SHPENZIMET E FAMILJARËVE të tij. Në asnjë moment nuk kemi prekur fondet e taksapaguesve shqiptarë! Ndaj të shqetësuarit le të qetësohen. Nuk i kemi borxh asnjë qindarkë dhe asnjë moment jete askujt. Interesi për jetën e një njeriu të sëmurë rëndë, për shkak të profesionit, nuk u shpreh qoftë dhe me një telefonatë interesi. Ky lajm shqetësoi një familje të tërë dhe mbi të gjitha 2 fëmijë që për mbi 10 muaj dëgjojnë vetëm për Covid 19 dhe zgjohen orë pa orë nga telefoni i babait te tyre, i cili në çdo moment i është gjendur pranë kujtdo. Kushdo lëtyrë politike, që ka dashur të përfitojë nga ky lajm i gënjeshtërt, i them: Ju kam lënë Zotin!

Për të gjithë miqtë tanë: fjalori njerëzor nuk ka mjaftueshëm fjalë për mirënjohjen! Për dëshirën tuaj, për të na qenë pranë në momentin më të vështirë të familjes sonë, me oferta si financiare e deri për të na ofruar kujdes për fëmijët, trsnsport etj etj, mund t’u themi vetëm: ju kemi në Zemër!