Transmetuar më 18-01-2021, 11:38

Detaje tronditëse zbulohen nga vdekja e vajzës 10-vjeçare dje në Tiranë, e cila u përplas nga një makinë shumë pranë shtëpisë së saj.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Njazi Meka”, në zonën e njohur ndryshe si Alliasi në kryeqytet.

Babai i të miturës ka rrëfyer momentet e fundit kur ishte ndarë me vajzën e tij. Iliaz Petali, tha se vajza ishte e shoqëruar për dore me gjyshen e saj, ndërsa një makinë kishte kaluar me shpejtësi dhe e kishte përplasur. Ai shtoi se pas aksidentit, shoferi i mjetit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

“Kisha 10 minuta që u ndava me vajzën. Ajo ishte me gjyshen për dore. Shoferi erdhi e përplasi. Aksidenti mund t’i ndodhë çdokujt, por shoferi bëri gabim se ishte me shpejtësi në rrugë lagje. E përplasi fëmijën dhe iku. Mund të ketë qenë i pirë, po ia le shtetit në dorë të bëjë drejtësi. Këtu s’ka as rrugë, as trotuar, asnjë kusht”, – tha ai sipas ‘News 24’.

Menjëherë pas ngjarjes e mitura është dërguar  në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia arrestoi shtetasin me iniciale, A.G, i cili drejtonte mjetin që u përfshi në aksident.

Familja e së miturës jeton me qira në këtë zonë të kryeqytetit dhe kishin vetëm katër ditë që kishin ardhur për të jetuar.

Ky është aksidenti i tretë i rëndë brenda pak ditësh në Tiranë, ku një këmbësor u gjymtua në afërsi të rrugës "5 Maji" pas përplasjes së dy mjeteve, ndërsa dy këmbësorëve të tjerë iu rrezikua jeta, teksa kalonin mbi vijat e bardha pas kryeministrisë. /e.a/noa.al/