Transmetuar më 19-01-2021, 12:08

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompaninë gjermano-amerikane “Pfizer/BoNTech” për një sasi prej 500 mijë vaksinash anti-COVID do të vijojë të mbetet sekret.

Kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur edhe një herë se nuk mund ta bëjë publike kontratën me kompaninë amerikane "Pfizer", vaksina që lufton koronavirusin, për shkak të respektimit të marrëveshjes.

Gjatë një konference për shtyp ‘online’ me gazetarët, "Ekonomia në Fokus", Rama tha se kontrata është e mbrojtur nga sekreti tregtar.

"Kontrata me "Pfizer"-in është e mbrojtur në gjithë botën nga sekreti tregtar dhe kjo është diçka që duhet respektuar. Nëse do gjeni një vend të BE që ka bërë publike kontratën, ne do jemi vendi i dytë që do ta bëjmë. Unë thashë se do ta publikoja kontratën se kisha dëshirë, por përtej dëshirës sime, është e pamundur".

Kontrata me kompaninë "Pfizer" u miratua dje edhe në Parlament dhe do vijojë të jetë sekret.

"Sekreti që mbulon kontratën e Pfizerit nuk është për çmimin, por me modalitetet e çdo kontrate. Për sasitë për kohën e gjëra të tjera, – vijoi Rama. – Secili mund të dyshojë çfarë ka dëshirë, por është e verifikueshme se paratë që paguhen për "Pfizer" nuk mbulohen nga sekreti dhe nuk duhet që ta ushqeni popullin me konpiracione idioteske. Ne kemi kapacitetin që të paguajmë për të gjithë vaksinat e popullit shqiptar, vaksinat kanë çmime të ndryshme dhe nuk mund të vendosim një çmim paraprak, me llogarinë që ne kemi për vaksinën më të shtrenjtë, siç është "Pfizer", ne i kemi të gjitha paratë për ta marrë”, ka thënë ai.

Për sigurimin e vaksinës anti-Covid, qeveria shqiptare ka hartuar tri akte normative emergjente në më pak se tri javë dhe në terr të plotë informativ.

Në ditën e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor, qeveria është mbledhur për të kaluar aktin normativ, që autorizonte Ministrinë e Shëndetësisë të zhvillojë negociata me prodhuesit e vaksinës “Pfizer” në Gjermani.

Dhjetë ditë më vonë, si rrallë ndonjëherë, qeveria u rimblodh sërish. Kësaj here, për miratimin emergjent të tekstit të marrëveshjes me “Pfizer”, përmes së cilës disa doza të ardhura në aeroportin e Rinasit nga një shtet mik që mendonte për vendin tonë, të mund të hynin në Shqipëri. /e.a/noa.al/