Transmetuar më 20-01-2021, 08:50

Policia e Vlorës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se është drejtuesi i gomones, e cila tentoi të trafikonte 50 shtetas nga Siria pak ditë më parë dhe që rrezikoi mbytjen në det.

Në pranga ka rënë Emiljano Likaj, 26 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se kundrejt pagesës, do të ndihmonte emigrantët nga vende e treta të largoheshin në drejtim të Italisë më 8 janar 2021.

Dy javë me parë, policia ka vënë në pranga 2 personat përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë, përkatësisht pronarin e një hoteli në Tiranë Fatos Dusha dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë Qazim Ismailaj.

Sirianët, pasi ishin fshehur në Vlorë, të ndihmuar nga personat e arrestuar dhe disa të tjerë, po tentonin të niseshin me gomone drejt Italisë, por kushtet e motit e vështirësuan situatën, duke bërë që të kërkojnë ndihmë pasi rrezikuan mbytjen.

Sipas dëshmisë së tyre, ata kanë qëndruar të bllokuar për thuajse 3 orë në det të hapur para se të evakuoheshin nga Roja Bregdetare shqiptare.

Autoritetet shqiptare u njoftuan përmes një telefonate, ndërsa arrestimi për të vënë në pranga trafikantët, të cilët dyshohet se ishin në gomone në momentin e shpëtimit, ka dështuar nga ana e policisë.

Sipas dëshmisë së emigrantëve, ata kanë dhënë 4-5 mijë euro për të udhëtuar me gomone drejt Italisë dhe më pas për në vendet e BE.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. /e.a/noa.al/