Transmetuar më 25-01-2021, 08:08

Në Greqi, është gjentur trupi i pajetë i ish-ministrit të Rendit, Sifis Valirakis. Kufoma e tij u gjet në ujërat e gjirit të Evisë pasditen e djeshme.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, 78-vjeçari u gjet pa jetë vetëm pak milje larg anijes së tij.

Ish-ministri kishte shkuar për të pushuarnë vilën e tij në Eretria dhe gjatë kësaj kohë kishte vendosur që të bënte një udhëtim me varkë.

Pasi kaluan disa orë, bashkëshortja e tij u shqetësua dhe njoftoi menjëherë policinë se ai nuk ishte kthyer nga udhëtimi.

Menjëherë nisën kërkimet për gjetjen e tij, në të cilat u përfshinë policia, peshkarexha, helikopterë dhe Rojet Bregdetare greke. Fillimisht u gjet varka e 78-vjeçarit dhe më pas trupi i pajetë.

Ai kishte dy goditje nga helika në kokë dhe në dorë kishte një të çarë. Dyshimet e autoriteteve, sipas mediave greke, janë: ose ish-ministri ka rrëshkitur aksidentalisht nga varka dhe është goditur nga helika, ose është përplasur me një varkë tjetër dhe ka rënë në ujë.

Sifis Valyrakis, me origjinë nga Chania, u zgjodh deputet për herë të parë në 1997 dhe shërbeu si ministër në qeveritë e PASOK.

Më 1 shkurt 2009, Sifis Valirakis u ndalua për disa orë nga autoritetet amerikane menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroportin e Nju Jorkut, për shkak të revokimit të vizës për të cilën kishte aplikuar.

Ky kufizim, nxori në pah armiqësinë e vjetër të Valirakis kundër qeverisë amerikane, e cila në dekadën e viteve 1980 e kishte cilësuar atë si "themeluesin" e Organizatës Revolucionare të 17 Nëntorit.

Ai ishte martuar me piktoren e njohur greke, Mina Papatheodorou-Valiraki, e cila ka fituar shumë vlerësime ndërkombëtare për veprat e saj. Çifti kishte dy fëmijë. /e.a/noa.al/