Transmetuar më 24-02-2021, 12:36

Edhe pse kishte shfaqur dyshime, Partia Republikane ka nënshkruar një marrëveshje sot me Partinë Demokratike për të garuar së bashku për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Sot është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ dhe më herët, kreu i PD, Basha, ka arritur marrëveshjen me PAA, LZHK, PBDNJ, PDIU dhe PDK. Ndërsa vijojnë negociatat me Frymën e Re Demokratike.

Sakaq, kryetari i PR, Fatmir Mediu, ka dhënë disa detaje nga marrëveshja në selinë e PD.

“Është konsideruar çdo që gjë është e vlefshme për ta bërë sa më aktive çdo parti politike që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju do ta shikoni marrëveshjen dhe ajo përcakton edhe raportin e partive politike si do të jenë, – tha Mediu. – Kjo është një marrëveshje që ka përmbledhur qëndrimet që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep edhe autoritetin ligjor PD që të përcjellë në KQZ raportet politike të çdo partie”, tha Mediu.

Kështu, opozita e Bashkuar do të jetë i vetmi koalicion në zgjedhjet parlamentare. Ditën e sotme, përfaqësuesit e mandatuar nga kreu i PD, Lulzim Basha, partia e të cilit do të jetë udhëheqëse e listës shmëemërore, do të dorëzojnë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar si koalicion, teksa pritet të zbulohet edhe emri i tij. /e.a/noa.al/