Transmetuar më 25-02-2021, 08:43

"Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman është i përfshirë në vrasjen rrëqethëse të gazetarit disident të ‘Washington Post’ Jamal Khashogi".

Ky është përfundimi i raportit tronditës të ‘007’-ve amerikanë, sipas "Axios", i cili pritet të publikohet sot.

"Raporti, një dokument i paklasifikuar, i prodhuar nga Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare, nënkupton që Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman është i përfshirë në vrasjen dhe copëtimin e trupit të Khashogit në konsullatën Saudite në Stamboll në 2018", shkruan faqja, duke cituar një burim të mbrojtur nga anonimati.

Ishte vetë Avril Haines, në seancën e saj të konfirmimit në Senat, si gruaja e parë që drejtoi Inteligjencën Kombëtare, e cila ishte përfshirë në publikimin e raportit: "Po, senator, ne do të ndjekim ligjin", iu përgjigj ajo një pyetjeje.

Inteligjenca amerikane kishte arritur tashmë në të kaluarën një besim "të nivelit të mesëm dhe të lartë" mbi implikimin e princit të diskutueshëm Saudit, (duke e konsideruar atë kryesor), por nuk kishte lëshuar ndonjë dokument zyrtar, ndërsa Donald Trump kishte bërë gjithçka për të ruajtur imazhin e Bin Salmanit, pasi e zgjodhi atë si aleatin e tij kryesor në rajonin e Lindjes së Mesme, së bashku me Izraelin.

Princi gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje, por ka pranuar përgjegjësinë si udhëheqësi ‘de facto’ i vendit, megjithëse pa ndonjë pasojë serioze.

Tani, megjithatë, ai rrezikon një dëmtim tjetër të imazhit të tij dhe të mos qenit më një partner i Shtëpisë së Bardhë.

Në fakt, Joe Biden synon të mbajë marrëdhëniet jo me të, por me babanë e tij, Mbretin Salman 85-vjeçar, i cili pritet ta telefonojë menjëherë për herë të parë, duke e informuar atë paraprakisht për raporton e sikletshëm të ‘007’-ve amerikane. "Ai është homologu i tij", mësohet të ketë thënë Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë, duke konfirmuar publikimin e raportit.

Mbi të gjitha, presidenti amerikan tashmë ka thënë se dëshiron të rikalibrojë marrëdhëniet me Riadin zyrtar, nga rihapja e marrëveshjes bërthamore iraniane, deri në ndalimin e mbështetjes për sauditët në luftën në Jemen.

Por pa iu nënshtruar luftës për të drejtat e njeriut. Gjatë fushatës elektorale, Biden kishte akuzuar haptas Bin Salmanin për vrasjen e Khashogit, duke premtuar në rast të fitoreje, se ai nuk do t’u shiste armë sauditëve dhe se do t’i linte ata "ashtu siç janë".

Tani do të shihet se çfarë pasojash do të ketë raporti i agjencisë amerikane për këtë çështje. /e.a/noa.al/

Burimi dhe fotot: "Ansa"