Transmetuar më 16-03-2021, 22:00

Policia e Australisë ka bërë së fundmi publike fotot nga operacioni i kryer të enjten e kaluar në pronat e të ashtuquajturit “Lordi i Seksit”, i cili u arrestua nën akuzën e skllavërisë.

James Robert Davis u arrestua në pronën e tij në Armidale, në veri të New South Wales dhe policia ushtroi një kontroll të imtësishëm që zgjati për plot 15 orë, ku u sekuestruan kamera, foto e mijëra regjistrime.

Prona e ish veteranit të forcave australiane ishte e pajisur me shtëpiza të vogla druri dhe pranë tyre u gjetën 4 kuti të varrosura me emrat grash mbi to. Gjithashtu policia gjeti dhe shumë objekte të “çuditshme” që përdoren për lojëra seksi.

Autoritetet kanë ngritur akuza për skllavëri ndaj Davis, pas denoncimit të bërë nga një grua. Sipas policisë, gruaja dyshohet të jetë abuzuar fizikisht, seksualisht dhe psikologjikisht nga vitet 2012 deri në 2015 nga ish ushtaraku. Madje ajo ka ushtrua dhe prostitucion nën kontrollin agresiv të tij.

Davis dyshohet se ka jetuar kohët e fundit me 6 gra, të cilat ishin bërë pjesë e “sektit” të tij të çuditshëm dhe që kishin nënshkruar një kontratë skllavërie. Sipas mediave të huaja, ai e konsideronte veten patriarkun e grupit të njohur si ‘House of Cadifor’.

Në vitin 2018 ai u shfaq në një serial televiziv të quajtur “Cadifor, një histori rreth dashurisë, familjes dhe skllavërisë”.