Transmetuar më 29-03-2021, 17:28

Arnaud Boutin është 18 vjeç dhe ka dëshirë të mësojë sa më shumë për Shqipërinë.

I ftuar në emisionin “Shqipëria live”, në tch, 18-vjeçari tregon se aktualisht po studion gjuhën shqipe dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Paris. Sipas tij, këtë vit në degën e gjuhës shqipe janë regjistruar 20 francezë.

“Kam zbuluar Shqipërinë disa vite më parë. Kisha miqësi me një vajzë që quhej Albana. Në fillim ishte një interesim për peizazhet e bukura. Pastaj, doja të mësoja më shumë”, thotë Arnaud.

Ai ka qenë një herë dhe synon të vijë sërish, për të parë më shumë nga natyra shqiptare.

“Më ka pëlqyer shumë Shqipëria. Kam qenë në Tiranë, në Krujë, kam vizituar kalanë e Krujës. Qëllimi është që të vij përsëri në Shqipëri. Kam qenë vetëm për dy ditë. Kam dëshirë të shoh ishullin e Sazanit dhe Korçën, më tërheqin”.

Arnaud thotë se me vajzën shqiptare kishte vetëm miqësi dhe deri një tani nuk ka bindur ndonjë shok tjetër, që ta ndjekë në udhëtimet e tij për në vendin tonë.

Pyetjes, nëse e ka menduar të jetojë në Shqipëri, ai i përgjigjet, “pse jo, do të më pëlqente”. Po ashtu, shton se Shqipëria duhet të njihet më shumë nga francezët.

Francezi lexon letërsi shqipe dhe veçon Ismail Kadarenë dhe Rexhep Qosen.