Transmetuar më 09-04-2021, 10:31

Është liruar pas disa orësh marrje në pyetje nga policia, ish-drejtori i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj.

Sulaj u mor në pyetje në policinë e Tiranës, ku sqaroi rrethanat e komunikimit me të ndaluarit, kontrollorët e Albcontrol, sepse rezultonte të kishte komunikime me ta.

Mediat kanë zbuluar detaje nga dëshmia e ish-kreut të Aviacionit Civil, Petrit Sulaj kur ishte në polici për të dëshmuar nëse ka lidhje me vendimmarrjen e kontrollorëve për të braktisur vendin e punës, duke pezulluar kështu fluturimet në Rinas, pasi ishin zbuluar biseda që ai kishte kryer me ta. Nga ana tjetër, Sulaj ka mohuar të ketë pasur gisht në vendimmarrjen e tyre.

“Nuk kam pasur asnjë rol në këtë vendimmarrje. Kam njohje personale me disa prej kontrollorëve dhe ndaj vijon dhe komunikimin me ta”, mësohet të jetë shprehur ai, ndërsa nënvizoi faktin se si ish-drejtor është kundër braktisjes së punës në një sektor kaq jetik që është hapësira ajrore./K.B/NOA.al