Transmetuar më 11-04-2021, 15:13

Kryeministri Edi Rama në takim sot me të rinj socialistë në Laprakë, tregoi dy palë atlete firmato të branduara me logon e PS. Ai tha se i erdhën dhuratë nga një grup punonjësesh në një sipërmarrës në Berat.

Duke treguar se atletet ishin prodhuar për një emrat më të njohur në botën e modës, Rama pohoi se të prodhuara në Berat, ato shiten sa frëngu pulën në Europë.

Këtë informacion Rama e përdori për të ilustruar se Plani i Veprimit 2021-2025 që ka hartuar qeveria e tij, synon të nxisë dhe të arrihet që gjithë rrjeti i fabrikave në Shqipëri që prodhojnë me material porositësi të kalojë në një nivel tjetër.

Rama tha se në vend të markave të shumënjohura dhe të shtrenjta ndërkombëtare të lindin dhe fuqizohen marka shqiptare me çmime ekonomike.

"Ato gra duart arta, ata sipërmarrës kurajozë që krijojnë kaq shumë punësim dhe që kanë çarë në tregjet e huaja të fillojnë të hynë në tregjet e huaja me Made in Albania, jo më me markat e stërnjohura, por me markat shqiptare. Me këto dijeni të fituara, me këtë eksperiencë të fituar, me këtë këmbëngulje për punë dhe për të shkuar përpara, shqiptarët pa diskutim mund t’i krijojë. Natyrisht, jo për të arritur në majat e botës, por për të arritur që t’iu shesin produktet e tyre atyre që kanë më pak nëpër Europë e botë dhe njëkohësisht, për t’iu ofruar të gjithë të rinjve këtu në Shqipëri, produktet e kësaj cilësie, por Made in Albania dhe të cilat kushtojnë më lirë, por bëjnë të njëjtën punë".

Rama tha se që të realizohet ky objektiv duhet që PS të marrë edhe një mandat të tretë: "Unë jam këtu sot, përsëri, për t’iu thënë shqiptarëve mos ndaloni, mos ktheni rrugën, mos u lodhni dhe mos u dorëzoni, sepse ngjitja më tej drejt majës ku ne duam të mbërrijmë, është e vështirë. Sa më lart të ngitesh, aq më shumë tundimi për t’u ndalur, tundimi për të bërë pushim, për t’u kthyer pas, për të gjetur një rrugë tjetër, bëhet më i fortë".

Në vijim Rama tha se ai për vete ka realizuar gjithçka ka dashur, por…: "Unë nuk jam këtu për veten time nga maja nga ku flas. Nëse do të ishte në aspektin personal, unë i kam realizuar të gjitha, i kam prekur të gjitha majat që mund të prekë dikush që merret me politikë. I kam patur të gjitha nderet që mund të ketë dikush që votohet nga populli i tij dhe nëse do të ishte një bilanc personal, thjesht për veten time, do të ishte shumë e lehtë për mua. Por unë nuk jam ngjitur këtu, bashkë me ju, për të ndaluar këtu. Ka një dallim shumë të madh. Ne e duam pushtetin për Shqipërinë. Ata e duan Shqipërinë për pushtetin. Për ta, Shqipëria është vendi i të gjitha të zezave kur ata nuk kanë pushtetin, ndërsa kur ata janë në pushtet, Shqipëria është plaçkë dhe shqiptarët janë mish për top. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, duke përsëritur të njëjtën gjë. Dikush që përsërit të njëjtën gjë dhe pret një rezultat tjetër është thjesht budalla, kështu thotë një fjalë e mençur", përfundoi z.Rama. /noa.al