Transmetuar më 12-04-2021, 12:43

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me të rinjtë në Gramsh.

Ai tha se pushtetin nuk e do për veten, por për të arritur majat ku duhet të jetë Shqipëria. Kreu i qeverisë tha se nga pikëpamja profesionale i ka arritur të gjitha, por shprehet se kërkon ende pushtet për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kryeministri deklaroi se kërkon të jetë kryeministër në mandatin e tretë historik, “për të dhënë mishin dhe shpirtin në mënyrë që Shqipëria të kapë majat”.

“Ne nuk e duam pushtetin për vete.  Unë nuk e dua pushtetin për veten time. Nëse dikush do thoshte ça do ti më: Ke qenë ministër, kryetar bashkie, je kryeministër. Nga pikëpamja profesionale unë i kam parë të gjithë këto maja” theksoi Rama.

“Nëse qëndroj këtu, qëndroj sepse mua këtu nga emigracioni më ka sjellë maja që kam parë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Përsa kohë shqiptarët, shumica duan të ngjiten në atë majë unë e di si mund të ngjitemi në atë majë. Unë jam këtu për të dhënë mishin dhe shpirtin për të kapur atë majë. Ne kemi bërë gabime pa diskutim.  Ne nuk jemi të rënë nga qielli. Nga qielli vetëm shiu bie”, tha kreu i qeverisë i cili bërie dhe një dallim me kundërshtarin.

“Ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre. Ne jemi ajo forcë e karakterit të gjithë njerëzve të punës. Nuk ka receta çudibërëse, vetëm çudinë që përmban ndryshimi e sjell puna e vetëm puna, pasioni për t’ja dalë e në këtë pikë nga unë ju flas ju them se shtysa që mua më nxjerr përditë nga shtëpia është të bëj gjithçka mundem që Shqipëria të jetë më e mirë nesër e që shqiptarët pavarësisht se ça voton të ndjehen më mirë nesër” tha Rama.

Sa i takon procesit të vaksnimit, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria është një nga vendet ku populli po vaksinohet masivisht, pa dallime partiake.

“Ndërkohë që ne u goditëm aq rëndë nga tërmeti, ndërkohë që arritëm të bashkojmë energjitë dhe burimet financiare na erdhi goditja tjetër, tërmeti që tronditi gjithë botën”.

“Ne ia dolëm ta përballojmë dhe ndërkohë ia dolëm të sigurojmë vaksinimin masiv të gjithë popullit në një lagje të Evropës, pasi BE na la jashtë vaksinimit”, theksoi Rama  – “Nuk i pamë kush janë gjyshërit e socialisteve dhe të demokratëve, por i pamë të gjithë si gjyshërit tanë”.

Kryeministri shtoi se “jemi një nga dy vendet që sot po vaksinon masivisht dhe sot Shqipëria është në fashën më të lartë të vaksinimit në Ballkan”.

/a.m/NOA.al