Transmetuar më 16-04-2021, 09:16

Vitet ’90 në Shqipëri janë famëkeqe për shumë dukuri që erdhën pas fundit të diktaturës, por ndër më të shëmtuara ishte dhe mbetet prostitucioni.

Shumë meshkuj shqiptarë fituan dhe vazhdojnë të nxjerrin pará nga vajza shqiptare që në vite janë dhunuar dhe prostituuar për llogari të tyre.

I tillë është dhe rasti i Saimir Mehmetit, sot 55 vjeç, banor i Fierit. Ai është arrestuar sot nga policia lokale,raporton noa.al.

Saimir Mehmeti akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka rekrutuar dhe dërguar ilegalisht në Itali femra shqiptare, të cilat nëpërmjet dhunës i ka shfrytëzuar për prostitucion.

Mehmeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai ishte dënuar muajin e kaluar më 20 mars me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale "Grup kriminal", "Shfrytëzim prostitucioni" dhe "Plagosje". Dënimi është dhënë nga një gjykatë në Xhenova të Italisë.

Policia e Fierit kishte marrë këto ditë disa informacione në rrugë operative se Saimir Mehmeti jetonte në këtë qytet dhe e arrestoi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. /noa.al