PS mbledh 47 firma për shkarkimin e presidentit Meta, pritet kalimi në Kuvend
Transmetuar më 03-05-2021, 10:49

Partia Socialiste ka konkretizuar nismën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Mësohet se PS ka mbledhur deri më tani 47 firma për shkarkimin e Metës.

Pritet që kjo nismë e socialistëve të futet në kalendarin e punës së Kuvendit. Ndërkohë, sot do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të miratuar kalendarin 3-mujor të Kuvendit.

Gjithashtu, Konferenca e Kryetarëve do të miratojë programin 3-javor të punimeve të Kuvendit. Kujtojmë se nisma për shkarkimin e Presidentit Meta nisi pas fitores së PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Vetë Kreu i Shtetit deklaroi gjatë fushatës elektorale se nëse PS fitonte zgjedhjet pa vjedhje votash, do të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit. Pas zgjedhjeve, Meta nuk dha dorëheqjen, por kërkoi të hetohen mbi 83 mijë votat e pavlefshme./K.B/NOA.al