Transmetuar më 01-06-2021, 16:54

Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH njoftoi sot zyrtarisht se ka miratuar përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac Covid-19.

Në një komunikatë të lëshuar para pak minutash, OBSH tha se kjo vaksinë plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.

OBSH tha se të dhënat e paraqitura nga Sinovac treguan se dy doza të vaksinës parandaluan shfaqjen e simptomave tek pak më shumë se gjysma e atyre që bënë vaksinën. Agjencia gjithashtu tha se nuk mund të vlerësonte efikasitetin e vaksinës tek personat mbi 60 vjeç sepse numri i pjesëmarrësve të kësaj grupmoshe në provat klinike ishte i vogël.

CoronaVac është vaksinë e kompanisë kineze Sinovac. Ajo mbërriti me 100 mijë doza në Shqipëri duke i hapur rrugë vaksinimit masiv.

Më tej kompania turke që është distributor, prodhoi vetë me formulën e Sinovac, vaksinën Corona Suspension e cila aplikohet aktualisht në Shqipëri. Kjo erdhi pasi kompania kineze ndërpreu furnizimin për Turqinë.

Ende nuk dihet nëse kjo vaksinë kineze do të miratohet edhe nga EMA, Agjencia Kombëtare e Barnave. Nëse kjo ndodh, shqiptarët e vaksinuar me të, do të mund të lëvizin në vendet e zonës Shengen ashtu si qytetarët që kanë marrë vaksina perëndimore.

Muajin e kaluar, OBSH miratoi për përdorim emergjent një vaksinë të prodhuar nga Sinopharm, një kompani farmaceutike shtetërore kineze. Vaksinat e tjera të miratuara për përdorim emergjent nga OBSH-ja janë prodhuar nga AstraZeneca, Moderna, Johnson & Johnson dhe Pfizer-BioNTech. /noa.al