Transmetuar më 02-06-2021, 22:10

Çdo qeveri që ka ardhur në Shqipëri ka premtuar investime të huaja, brende ndërkombëtare që do të hapnin me mijëra vende pune. Por, përveç gazjsellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit, deri më tani investime të tjera madhore të huaja nuk janë parë.

Madje, në përpjekje për t’i zëvendësuar, gjatë mandatit të dytë, socialistët listuan ndër fushat strategjike për investitorët e huaj transportin, telekomunikacionin, turizmin dhe bujqësinë.

Por, investimet në këto sektorë realisht janë ose pranë zeros, si në rastin e turizmit dhe bujqësisë; ose në rënie të vazhdueshme.

Albert Gajo, ekspert për ekonominë, sonte në A2 tregoi se kush është problemi kryesor në vendin tonë.

“Problemi kryesor që ka Shqipëria është drejtësia. Ne kemi një sistem drejtësie që nuk garanton investimet e huaja. Kemi problem edhe riskun shumë të lartë, nuk vijnë investitorët e huaj pa krijuar një mjedis të përshtatshëm. Bota sot ka mundësi të shumta investimi dhe nuk kanë pse investitorët të marrin përsipër risqe”, shpjegoi Gajo.

Edhe Mark Crawford, investitor amerikan në Shqipëri, u shpreh se “Shqipëria ka risk më të lartë investimi”.

“Kur kam nisur investimet këtu, kam pasur mbështetjen e qeverisë amerikane. Besoj se nëse investitorët bashkëpunojnë me institucione që na japin garanci, mund të shmangim edhe rreziqet”, theksoi Crawford.

Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës Britanike në Shqipëri, u shpreh: “Shqipëria vijon të mbetet një njollë e kuqe përsa i përket riskut për të investuar. Qeveritë e këtyre 30 viteve duhet ta kishin përgatitur infrastrukturën pa burokracira që pengojnë investitorët e huaj. Pas ardhjes së British Petroleum, nuk kemi vijueshmëri investitorësh të mëdhenj, megjithë përpjekjet e dhomave bilaterale. Nuk ka infrastrukturën e duhur, që dikush nga Londra të nisë aplikimin online për projekte të ndryshme”.