Transmetuar më 02-06-2021, 22:43

Një studimi për vaksinën Pfizer, kryer një javë më parë nga SHBA nga Centers for Disease Control and Prevention, po ekzaminon të dhënat sipas të cilave një numër shumë i ulët i adoleshentëve dhe të rinjve të rritur, vaksinuar kundër koronavirusit, mund të ketë probleme kardiake.

Tani edhe Izraeli, një nga vendet që ka treguar shpejtësi më të madhe në fushatën vaksinuese, të vazhduar vetëm me vaksinën Pfizer-Biontech, po bën një kërkim në këtë drejtim.

Ministria e Shëndetësisë izraelite ka bërë më dije se ka gjetur një numër miokarditesh – inflamacione të muskulit kardiak – te të rinjtë që kanë marrë vaksinën dhe këto me shumë mundësi janë të lidhura me imunizimin.

Pfizer – kërkuar dhe cituar nga e përditshmja Haaretz – ka theksuar se nuk ka vënë re një normë më të lartë të sëmundjes se ajo që normalisht ndodh në popullsinë e përgjithshme.

Rastet në Izrael – ka thënë ministri – kanë qenë 275 mes dhjetorit të vitit të kaluar dhe majit 2021, në më shumë se 5 milionë të vaksinuar.

Pjesa më e madhe e pacientëve – sipas studimit të kryer nga Ministria – nuk kanë qenë më shumë se 4 ditë në spital dhe 95% e këtyre rasteve janë vlerësuar si të lehtë.

Studimi i Ministrisë ka nxjerrë në pah se “ka një lidhje të mundshme mes atij që ka marrë dozën e dytë të Pfizer dhe miokarditit tek të rinjtë mes 16 dhe 30 vjeç”.

Pfizer – cituar nga e përditshmja – është përgjigjur se është në dijeni të studimit izraelit duke shtuar se nuk është caktuar një lidhje shkakësore mes vaksinës dhe inflamacionit.

28 majin e kaluar Agjensia Europiane për ilaçet (EMA) ka autorizuar vaksinën për fashën 12-15 vjeç dhe hipoteza e miokarditit është marrë në konsideratë.

Komiteti për sigurinë i EMA-s po shqyrton raste shumë të rralla miokarditesh dhe perikarditesh (inflamacion i membranës përreth zemrës) që janë verifikuar pas vaksinimit me Comirnaty (Pfizer-Biontech), kryesisht në persona në moshë inferiore nën 30 vjeç.

“Aktualisht – shpjegon agjensia në një shënim – nuk ka asnjë të dhënë që këto raste të jenë shkaktuar nga vaksina dhe EMA po e monitoron me shumë kujdes këtë problem”.

Pavarësisht kësaj pasigurie, komiteti ka menduar se përfitimet e vaksinës tek fëmijët në moshë mes 12 dhe 15 vjeç janë më të mëdha se rreziqet, në veçanti tek fëmijët me kushte që rrisin rrezikun e Covid-it të rëndë.

Siguria dhe efikasiteti i vaksinës si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit do të vazhdojnë të monitorohen me shumë kujdes pasi përdoret në fushatat e vaksinimit në shtetet anëtare, nëpërmjet sistemit të farmako-vigjilencës të BE-së dhe studimet në vazhdim nga ana e kompanisë dhe autoriteteve europiane./noa.al/