Transmetuar më 10-06-2021, 15:54

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Anton Martini pak kohë pasi Komisioneri Publi ankimoi vendimin për kandidatin për prokuror në SPAK pasi më herët e kishte kaluar vetingun.

Nga deklarimi i pasurive u gjetën mospërputhje të atyre çfarë deklaronte Anton Martini nga ato që i ishin gjetur, raporton noa.al. Bëhet fjalë për tri dosje ku dyshonte Komisioneri Publik si dhe disa denoncime të tjera.

Martini e fitoi vetingun në janar 2020 dhe vijoi punën si prokuror për Krimet e Rënda. Madje në 10 nëntor 2020 ai u emërua Prokuror i Shkodrës. Ai ishte në sistem që prej vitit 1999 kurse te Krimet e Rënda që në 2004.

Para kësaj, ai po hetonte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, për përfshirjen e mundshme të tij në blerjen e votave.

Kandidimi për në SPAK ishte mundësia tjetër për ngjitje në karrierë, por që iu ndërpre nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjatë karrierës së tij të deridjeshme, Martini u mor me çështjen e të miturës së zhdukur, Bleona Mata që as nuk u gjet kurrë dhe as u zbardh si ngjarje.

Po ashtu ai ka pasur nën hetim dosjen e Ilirian Dida, kryepolici i Beratit që akuzohej për dy vrasje dhe asnjëherë nuk u zbardh. /marina/noa.al